
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me projektet infrastrukturore dhe punimet në Korridorin 8, duke akuzuar partinë opozitare shqiptare për propagandë dhe deklarata të pavërteta.
Në reagimin e saj, VLEN ironizon pretendimet e BDI-së, duke thënë se ato përmbajnë “trillime” dhe një “dozë të lartë humori”.
“Çka nuk dëgjojmë nga kuzhina propaganduese e BDI-së! Kumtesa jo vetëm të mbushura me trillime, por edhe me një dozë të lartë humori. Tani paskan nxjerrë edhe një matematikë të re, ‘4 me 1’. Shifra të mbledhura kushedi në cilën kafe të partisë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas koalicionit në pushtet, BDI-ja po sulmon projektet qeveritare për shkak të humbjes së ndikimit politik.
“Opozita po i gërryen keq, andaj nga dëshpërimi kanë filluar të bredhin kantier më kantier, duke numëruar bagerët për të parë se ku po punohet më shumë”, deklaron VLEN.
Nga kjo parti i kanë bërë thirrje BDI-së që, në vend të akuzave, të paraqesë dokumente që mbështesin pretendimet e saj.
“Në vend që të bëjnë zhurmë si tenxhere boshe dhe ta fusin NATO-n në propagandën e tyre, le të nxjerrin ndonjë dokument me të cilin e mbështesin trillimin ‘4 me 1’”, thuhet në reagim.
VLEN thekson se punimet në Korridorin 8 po vazhdojnë dhe se projekti do të realizohet.
“Në Korridorin 8 po punohet aktivisht. Në segmentin Gostivar–Bukojçan punimet zhvillohen në 17 nga gjithsej 31 kilometra, ndërsa aktivitetet vazhdojnë edhe në Tetovë–Gostivar dhe në segmentet e tjera. Korridori 8 është projekt strategjik dhe do të realizohet”, deklaroi koalicioni.
Në fund të reagimit, VLEN akuzoi BDI-në për qeverisje të dobët dhe paralajmëroi rënie të mëtejshme politike.
“Gënjyet sa ishit në pushtet, po shpifni edhe tani në opozitë. Reflektoni, meqë qytetarëve u jeni bërë bezdi. Nëse vazhdoni me këtë avaz, do t’ju fshijnë nga harta politike”, përfundon reagimi i VLEN-it.



