LajmeRajonTopLajm

Përfundon edhe një takim midis Kurtit dhe Abdixhikut pa marrëveshje politike

Ka përfunduar pa një marrëveshje politike takimi i radhës midis kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Takimi i cili zgjati për rreth dy orë në hapësirat e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa rezultat kur kanë mbetur edhe disa orë nga afati kushtetues kur duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Pas takimit, kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti, partia e të cilit doli partia më e votuar në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, tha se ka mospërputhje të madhe midis rezultatit zgjedhor të 7 qershorit dhe kërkesave të LDK-së për pozitat shtetërore.

“Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, është shprehur Kurti pas takimit në një deklarim për media.

Ai tha se nuk e di nëse do të thirret seanca konstituive gjatë orëve në vijim, sepse siç u shpreh “kryesues i seancës është deputeti më i vjetër i legjislaturës”, Avni Dehari.

Kurti tha se qytetarët nuk dëshirojnë zgjedhje të reja dhe ato do të ishin në dëm të qytetarëve.

Abdixhiku: Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kurtin tha se janë shumë larg marrëveshjes me LVV-në.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, derisa ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate.

Tutje, Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin për president, ndërsa nga LVV-ja ka marrë ofertë vetëm zëvendëskryeministrin dhe disa ministri në qeverinë e ardhshme.

Nga Kuvendi ende nuk ka ndonjë njoftim për vazhdim të seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të, e cila u ndërpre dje pasi Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close