LajmeMaqedoni

VLEN: Bixhozi largohet nga afërsia e shkollave, mbrohen fëmijët

VLEN ka bërë të ditur se me miratimin e Ligjit të ri për lojërat e fatit, kazinotë dhe objektet e bixhozit do të largohen nga afërsia e shkollave, duke vendosur një distancë minimale prej 500 metrash nga institucionet arsimore.

Në një konferencë për media, Muhamed Murtezi nga VLEN tha se ky ishte një nga premtimet kryesore të koalicionit ndaj qytetarëve dhe se tashmë po realizohet me ndryshimet ligjore të miratuara.

“Me ligjin e ri vendoset distanca minimale prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme,” u tha në konferencë, ku u theksua se kjo masë synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimi i industrisë së bixhozit.

Sipas VLEN-it, me këto ndryshime pritet ulje e ndjeshme e numrit të objekteve të lojërave të fatit në vend, si dhe vendosen kushte më të rrepta për licencim, ndalohet reklamimi i bixhozit dhe forcohet mbikëqyrja ndaj sektorit.

Po ashtu, u bë e ditur se deri më tani janë mbyllur 358 platforma ilegale online, ndërsa paralajmërohen masa edhe ndaj kompanive të kredive të shpejta, të cilat sipas tyre lidhen me problematikat e varësisë dhe borxheve të qytetarëve.

VLEN theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e familjes dhe e të rinjve, duke e cilësuar ligjin si një hap të rëndësishëm në rregullimin e këtij sektori.

Related Articles

Back to top button
Close
Close