
VLEN ka reaguar ndaj debatit për glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, duke e dënuar publikimin dhe duke akuzuar BDI-në për hipokrizi politike.
Në komunikatën e saj, VLEN thotë se glorifikimi i Mlladiqit duhet të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale, duke theksuar se për gjenocidin në Srebrenicë nuk mund të ketë relativizim apo justifikim.
“VLEN qartë dhe pa asnjë rezervë dënon glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq”, thuhet në komunikatë.
VLEN më tej akuzon BDI-në se po tenton të rishkruajë të kaluarën e saj politike dhe e cilëson si një subjekt “të pareformuar dhe hipokrit”.
Në reagim, VLEN i referohet edhe projektit “Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se BDI-ja, gjatë kohës në pushtet, e ka mbështetur dhe promovuar këtë nismë, ndërsa sot e lidh atë me konceptin e “botës serbe”.
“BDI-ja e kërkon ‘botën serbe’ te të tjerët, por ikën nga biografia e saj politike”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
VLEN pretendon se BDI-ja, duke qenë pjesë e qeverive për rreth dy dekada dhe duke drejtuar ministri kyçe, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje./ZYRTARE.net/



