
Me publikimin e thirrjes publike për masën e vetëpunësimit, nis zbatimi i Planit Operativ për Punësim 2026, një nga asetet më të çmueshme të qeverisjes VLEN në fushën e ekonomisë dhe punësimit.
Përmes kësaj mase, të rinjtë deri në 29 vjeç mund të përfitojnë mbështetje deri në 10 mijë euro për hapjen e biznesit të tyre, ndërsa personat mbi 29 vjeç deri në 7 mijë euro. Për qytetarët që vendosin të themelojnë kompani së bashku, mbështetja mund të arrijë deri në 20 mijë euro.
Për VLEN-in, mirëqenia e qytetarit është gjithçka. Punësimi është pjesë thelbësore e saj, mundësi që të rinjtë të krijojnë, të zhvillohen dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendlindje.
Plani Operativ 2026 peshon rreth 40 milionë euro dhe parasheh mbështetje për mbi 10 mijë qytetarë përmes masave për vetëpunësim, hapje të vendeve të reja të punës, trajnime, praktikë profesionale, mbështetje për të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategori të tjera që kanë nevojë për përkrahje.
Këto janë politikat e VLEN-it për uljen e papunësisë dhe rritjen e mirëqenies, shteti të jetë në krah të qytetarit, të hapë rrugë për punë dhe t’u ndihmojë njerëzve që duan ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre.
Aplikimet për masën e vetëpunësimit janë të hapura deri më 3 korrik. VLEN u bën thirrje të rinjve dhe të rejave ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në Qendrat e punësimit në vend.



