
Kryetarja e Asamblesë së Gruaas në ASH-në Ziadin Selës, Vjollcë Berisha përmes një postimi ka komentuar vendimin e sotëm të gjykatës themelore në tetovë duke theksuar se Vula përtej vendimeve në gjykatë, ka edhe vendimin moral, atë të ndërgjegjes, atë që s’e luhat asnjë vendim shtetëro, shkruan Top24
“Ai është vula e kësaj pune” themi për garantuesin e një vepre, për atë që jo vetëm e ka fjalën e fundit, por edhe meritën për ta mbyllur një çështje. Vula në idiomat tona është edhe tregues i së vërtetës, shenjon atë që i posedon faktet. Themi: “Ia vuri vulën muhabetit me ato që tha”. Themi: “U vulos kjo çështje”, në kuptimin që i vuri pikën.
Fjala vulë ka hyrë në frazeologjinë më të re të popullit, në atë që rrjedh nga kontakti me institucionin. Kjo e bën vulën më të vlefshme se vetëm dëshmia e të qenit pronar i diçkaje, pasi flet edhe për një shtrirje emotive që paraqet ajo e që quhet E DREJTË MORALE mbi gjërat. Gjithashtu tregon se ky objekt, përtej vendimeve në gjykatë, ka edhe vendimin moral, atë të ndërgjegjes, atë që s’e luhat asnjë vendim shtetëror.
E prandaj, ende pa e thënë Gjykata fjalën e saj, nisur nga kjo e drejtë e pakontestueshme e përkatësisë absolute mbi gjërat që jo vetëm i ke krijuar vetë, por edhe i ke gjakuar, ajo vulë partie i takonte themeluesit, atij që për pothuajse dy dekada pati dijen dhe guximin të ketë fjalime antologjike në Kuvendin e Maqedonisë (në atë Kuvend armiqësor ndaj shqiptarëve), që pati guximin të trasojë rrugë të re për mendimin e ri brenda asaj partie së cilës i përkiste asokohe, e që po ngulfatej nga mbyllja, pabarazia dhe mefshtësia. Atij njeriu që u bë shqiptari më i urryer për shovenistët sllavë vetëm pse dinte të artikulonte kërkesën e shqiptarëve për barazi, urrejtje kjo që bëri ta sulmonin brutalisht, siç s’kishte ndodhur kurrë, korridoreve të institucionit ligjvënës, të atij institucioni që për vite me radhë pati prodhuar paradoksalisht pabarazi të pashembullt për shqiptarët e këtij shteti. Aty u sulmua dinjiteti shqiptar, u sulmua i riu i artikuluar, politikani i së ardhmes, kuadri i Prishtinës dhe Tiranës, njeriu me kulturë, që e flet dhe shkruan bukur shqipen, që lexon, që e do Atdheun, që ka të gjitha tiparet e shqiptarit të formuar, të atij që denjon ta mbushë skenën tonë politike dhe ta udhëheqë atë…
Të gjitha këto bënë që populli ta ndiente dhe ta ndiqte pas, ta rriste disafish, deri kur, siç ndodh mjerisht gjithmonë në historinë tonë, u luftua pa kursim nga brenda, me qëllimin e lig të shuhej tërësisht.
Edhe tentimi për t’i dalë zot Aleancës për Shqiptarët karshi themeluesit, kur ai ende është aktiv politikisht, është një nga tentimet për ta zhbërë pronarin e vërtetë.
Por, e drejta morale ngadhënjen.
Edhe po të mos ngadhënjente e drejta e shtetit, Ziadini do të ishte fituesi.
Vula është vetë Njeriu, Kreatori, Luftëtari.



