LajmeOpinion

Vit i pasuksesshëm!

Nga Afrim Ramadani!

Është ky fundi i një viti të mundimshëm, fundi i një viti të turbullt, i një viti epidemik, i një viti të filluar me dyshim, i vazhduar me dyshim dhe i përfunduar në luftë!

Është ky fundi i një viti të filluar në largësi, në të cilin shumica e mësimdhënësve nuk i shihnin dhe njihnin nxënësit dhe as nxënësit mësimdhënësit, por kryesorja dëgjoheshin, nëse kishin dëshirë të dëgjoheshin!

 Është ky fundi i një viti, i cili megjithate filloi, ashtu si filloi! Filloi me maska e pa maska, me libra e pa libra, me komjuterë e pa kompjuterë, me uniforma e pa uniforma, me vullnet e pa vullnet, por kryesorja filloi!

Ishte ky viti i çudirave dhe befasive, ku klasët më tepër të ngjanin në duqane celularësh sesa në hapësira arsimore, i koridoreve, në të cilat mund të dëgjoje gjithçka, përveç asaj që vërtet duhej dëgjuar dhe i zyrave, në të cilat u diskutuan e u debatuan probleme e probleme, por  të cilët asnjëherë nuk u zgjidhën!

Është ky fundi i një viti shkollor, në të cilin oboret më tepër i’u ngjanin shetitoreve, verandave të kafeneve, byfeve, ndërsa aktorët stilistëve, reperëve …modelistëve!

Është ky fundi i një viti shkollor, në të cilin edhe ata që erdhën edhe ata që s’erdhën, të barabartë mbetën, në të cilin edhe ata që mësuan por edhe ata që nuk mësuan bashkarisht kaluan, po, po, viti në të cilin edhe ata që punuan megjithate edhe ata që nuk punuan njejtë u vlerësuan!

Interesant!  Është për t’u habitur me një test, të cilin, pak para përfundimit të vitit shkollor, e bëri njëfarë organizate e quajtur PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), e cila gjendjen momentale na e nxori “PIS”, por ne as që u brengosem dhe as që duam të brengosemi për një vlerësim të tillë “tendencioz”! Parashtrohet pyetja – Pse?

Nga këshillat e mbajtura të klasëve, nga “analizat e thukta” dhe nga rezultatet e arritura në fund të vitit shkollor u konstatua se “suksesi është mbi mesataren”. Prandaj konstatimin e shënuar më lartë, “se i rrepti dhe i zgjebti mund të hynë në një kosh”,  e vlerësuam si të pasaktë!

Nuk duhet haruar, se për suksesin e fryrë, pardon “të arritur” merita i’u takon mësimdhënësve dorëlirë dhe dorëlëshuar, por më meritorët megjithatë mbeten “intervenuesit” e përhershëm  syçelë e syhapur por edhe vigjilent! Pse? Sepse për një afat të shkurtër, mos të them shumë të shkurtër, mbërijtën një sukses solid!

Tani, ndoshta  nuk na mbetet asgjë tjetër, pos asaj, që të gjithë atyre që kanë mësuar dhe atyre që nuk kanë mësuar, por edhe atyre që kanë punuar dhe atyre që nuk kanë punuar, të ju drejtohemi me porosinë: Vazhdoni kështu dhe mos tentoni të devijoni, sepse shumë do të gaboni!

Tekefundit nuk kemi pse të brengosemi, nuk është gjithkund terrinë, ngase perendimi i egër, në fakt  i “butë” qëmoti i ka hapur krahët e tij të mëdhenj  dhe mezi pret përqafimin tonë!

Ndoshta këtij shkrimi do ti përgjigjej një thënie shumë e bukur fetare: Zoti hairin!

Related Articles

Back to top button
Close
Close