LajmeMaqedoni

Vihet sërish nën kontroll zjarri pranë Sellcës së Shtipit, u rrezikuan rreth 100 shtëpi pushimi

Vihet sërish nën kontroll zjarri pranë Sellcës së Shtipit, u rrezikuan rreth 100 shtëpi pushimi

Zjarri pranë fshatit Sellcë të Shtipit, i cili gjatë ditës u riaktivizua dhe iu afrua disa shtëpive të pushimit, është vënë sërish nën kontroll. Lajmin e bëri të ditur drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

Zjarri më herët ishte vënë plotësisht nën kontroll, por temperaturat e larta dhe era e fortë karakteristike për këtë zonë shkaktuan riaktivizimin dhe përhapjen e tij.

Për shkak të rrezikut, në terren u angazhuan forca shtesë nga njësitë profesionale të zjarrfikësve të Maqedonisë Lindore, ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe zjarrfikës vullnetarë.

Në shuarjen e flakëve po përdoren disa lloje automjetesh zjarrfikëse, përfshirë edhe një automjet të tipit BTR, i cili është vendosur për mbrojtjen e shtëpive të pushimit.

Sipas Angellovit, shqetësimin më të madh e shkakton vija e zjarrit pranë zonës së lumit të tharë Lakavicë, ku ndodhen rreth 100 shtëpi pushimi. Në disa pika janë shpërndarë ekipe të mjaftueshme zjarrfikësish për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Autoritetet presin që pjesa e zjarrit që rrezikon shtëpitë e pushimit të mbahet nën kontroll. Ekipet ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për ta kontrolluar pjesën e sipërme të vatrës, e cila po lëviz në drejtim të malit Serta.

Nga ajri po ndërhyjnë avionët “Air Tractor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe dy helikopterë – një i policisë dhe një i ushtrisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close