
Ukraina ka goditur për herë të dytë brenda katër ditësh objektet logjistike të Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë online në Rusi. Sulmet me dronë, të kryera gjatë natës, shkaktuan zjarre të mëdha dhe lanë të paktën 15 persona të plagosur. Sipas autoriteteve ruse, objektivat ishin qendrat logjistike të kompanisë në rajonet Krasnodar dhe Stavropol, ndërsa u raportuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar emocionet që shkaktojnë sulmet ndaj njerëzve të zakonshëm dhe punonjësve tanë. Megjithatë, këto ngjarje na tregojnë se duhet të vazhdojmë punën tonë”, shkroi ajo në Telegram. Autoritetet lokale raportuan se pesë persona u plagosën në Nevinnomyssk, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën në Krasnodar, tre prej tyre në gjendje të rëndë. Pamjet e publikuara nga agjencitë ndërkombëtare tregojnë kolona të dendura tymi dhe shpërthime në objektet e goditura.
Sulmi vjen vetëm pak ditë pas goditjes së së shtunës ndaj depove të Wildberries në Tambov dhe Elektrostal, ku humbën jetën tetë punonjës. Kreu i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, Serhiy Kuzan, deklaroi për BBC se depot e Wildberries përdoreshin për shpërndarjen e mallrave me përdorim të dyfishtë, përfshirë pajisje elektronike dhe komponentë që, sipas tij, përfundonin në zinxhirin e furnizimit të ushtrisë ruse. “Qëllimi kryesor është të ndërpritet logjistika që mbështet industrinë ushtarake ruse. Përveç ndikimit në furnizimet ushtarake, sulme të tilla mund të kenë pasoja ekonomike dhe psikologjike për Rusinë”, u shpreh Kuzan. Goditjet ndaj infrastrukturës logjistike tregojnë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po zgjerohet gjithnjë e më shumë drejt objektivave me përdorim të dyfishtë, duke rritur ndikimin e konfliktit edhe mbi ekonominë dhe sektorin civil.



