
Tjetër zhgënjim për Cristiano Ronaldon. Ylli portugez nuk ia ka dalë sërish të fitojë trofe me arabët e Al Nassr, të cilët janë mposhtur në finale e Kupës së Arabisë Saudite me penallti nga Al Hilali, pasi koha e rregullt kishte përfunduar në barazim 1-1.
Dështimi nga pika e bardhë, për të fituar një trofe, solli zhgënjim të madh te sulmuesi portugez, i cili shpërtheu në lot, ndërkohë që skuadra e Al Hilalit kishte nisur festën për triumfin në Kupën e Arabisë.
Skuadra e Al Hilalit kaloi e para në avantazh pas vetëm 7 minutash lojë, duke gjetur rrjetën me anë të serbit Mitrovic, ndërsa Al Nassr barazoi pak para fundit të kohës së rregullt, duke çuar ndeshjen në shtesë.
Edhe këtu rezultati mbeti i pandryshuar, teksa vlen të theksohet se në finale u nxorën tre kartonë të kuq, një për Al Nassr dhe dy për Al Hilalin, që ndonëse në inferioritet numerik, ia doli të çojë ndeshjen te penalltitë.
Aty hero u bë ish portieri i Sevillas, Bounou, i cili u dha trofeun të tijve, teksa vlen të theksohet se Cristiano Ronaldo i shkoi pranë një tjetër supergoli, si ai që i shënoi Juventusit me roveshiatë në 2018-ën, por këtë herë traversa i mohoi festën.



