
Në kuadër të karvanit kombëtar “Vishe ndryshimin” (Wear the Change), të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (Team Europe) dhe rrjeti i Europe House, dje në Europe House Tetovë u mbajt panel-diskutimi “Karrigia e zbrazët: Gratë në politikë”. Ngjarja hapi debatin mbi përfaqësimin e pamjaftueshëm të grave në pozitat e vendimmarrjes politike dhe hendekun ndërmjet zgjidhjeve ligjore dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Pavarësisht kuotës prej së paku 40 përqind gra në listat zgjedhore, në Qeverinë aktuale ka vetëm tri ministre, ndërsa vetëm katër nga gjithsej 81 komuna udhëhiqen nga kryetare komunash.
Në panelin e moderuar nga Andrea Ugrinoska, drejtoreshë ekzekutive e “Tiiiit! Inc.”, morën pjesë deputetja Monika Zajkova, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Sh.S. Özlem Canel, dhe ambasadorja e Gjermanisë, Sh.S. Petra Drexler. Ato ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale, si dhe praktikat evropiane për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike.
Gjatë diskutimit u theksua se kuotat, në vetvete, nuk janë të mjaftueshme nëse gratë nuk kanë qasje reale në pozitat udhëheqëse dhe në proceset e vendimmarrjes. Panelistet folën gjithashtu për rëndësinë e mbështetjes nga familja, mentorët dhe aleatët, por edhe për nevojën që gratë të besojnë në aftësinë e tyre për të udhëhequr.
Ngjarja ngjalli interes të madh te publiku lokal, ndërsa në diskutimin interaktiv u përfshinë studentë, të rinj dhe aktivistë. Mesazhi kryesor ishte se karrigia e zbrazët nuk është rezultat i mungesës së grave të afta, por i sistemeve dhe pengesave shoqërore që ende nuk u mundësojnë atyre qasje të barabartë në pushtetin politik.
Karvani “Vishe ndryshimin” vazhdon në disa qytete të vendit, duke hapur diskutime publike për barazinë gjinore, pjesëmarrjen qytetare dhe përfaqësimin e barabartë në proceset e vendimmarrjes.



