LajmeRajon

Veliaj e Baba Mondi shërbejnë drekën festive në qendrën sociale të Kombinatit

Në këtë atmosferë festash edhe Qendra Komunitare “Të Qëndrojmë së bashku”, në Kombinat, ka shtruar një drekë festive për të gjithë frekuentuesit e saj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shërbyen drekën festive për njerëzit në nevojë.

Në fjalën e tij, në këtë prag festash, Veliaj vlerësoi kontributin e njerëzve të fesë, si Baba Mondin, për të cilin tha se ai u gjendet njerëzve jo vetëm në ditë të mira e feste, por edhe në ato më të vështirat.

“Trimi i mirë njihet në kohë të vështira dhe me Baba Mondin nuk mblidhemi vetëm kur ditët janë të mira, kur në qiell shkëlqen dielli, e vetëm për festa. Përkundrazi! Ne jemi bërë miq, shokë e vëllezër, kur kemi kaluar ditët e vështira, në kohën e pandemisë, të tërmetit, të një fatkeqësie, kur kemi pasur dikë në nevojë për mbështetje, kur na është dashur të mbledhim ndihma etj,” u shpreh Veliaj. 

Ai shtoi, gjithashtu, se Baba Mondi sapo është vlerësuar edhe nga Europa si një nga njerëzit me kontributin më të madh në paqe dhe në harmoni mes njerëzve. Veliaj falënderoi të gjithë ata që shërbejnë në qendrat sociale dhe vlerësoi punën e tyre.

Nga ana e tij, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve tha se ndihet i bekuar për këtë solidaritet e bashkim të njerëzve në nevojë.

“Faleminderit kryetar që na bëre pjesë në këtë gëzim, me këta njerëz të mrekullueshëm, me ata fëmijë që janë si yje. Ata janë e ardhmja, do na zëvendësojnë ne, se kështu është njerëzimi, kalon brez pas brezi. Ne lexojmë për të parët tanë, kështu do lexojnë të tjerët për veprën tonë të mire, që bëjmë sot bashkë me ju. Ju falënderoj për këto dreka, për këtë bashkim njerëzish dhe energji pozitive që i japim njëri-tjetrit për të përballuar vështirësitë e kësaj bote të përkohshme. Do bëjmë një lutje bashkërisht, që Zoti të na e pranojë edhe shërbimin, edhe bukën, midis këtyre njerëzve të mirë dhe në nevojë”, u shpreh ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close