LajmeMaqedoniTopLajm

Valë diplomatike rreth ASH-së, Sela pret çdo ditë ambasadorë

Gjatë ditëve të fundit kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka zhvilluar takime të ndryshme me diplomatë të huaj.

Në fokus të këtyre takimeve ka qenë situata politike në Maqedoni dhe kriza ekonomike që ka goditur të gjithë botën për shkak të agresionit rus në Ukrainë, raporton news33.tv.

Ndonëse rritja drastike e ushqimeve dhe karburanteve po ndodh në të gjithë botën, shumë vende kanë ndërrmarrë masa për të lehtësuar qytetarët, gjë e cila në Maqedoni nuk po ndodh dhe për këtë fakt Sela ka ngritur zërin duke kërkuar sa më shpejt qeveria t’i vijë në ndihmë qytetarëve, madje edhe ai vetë ka propozuar disa rrugëzgjidhje.

Gjithashtu një ndër temat e tjera për të cilat është diskutuar, është dhe hapja e negociatave për Maqedoninë dhe heqja e vetos nga Bullgaria e cila po mban peng në këtë proces RMV dhe Shqipërinë.

Kujtojmë se kryetari i BDI-së, dy ditë më parë në një intervistë i dorëzuar u shpreh se shpresa e tij e vetme është ndërhyrja e BE-së, pasi qeveria pas premtimeve të shumta nuk po arrin të nxjerrë diçka në dritë.

Për zgjidhjen e kësaj situate dhe anëtarësimin e Maqedonisë në BE, biznesmenë dhe diplomatë janë takuar me kryetarin e ASH-së

Ditën e sotme, Sela ka zhvilluar një takim me Daniel Braun, drejtorin e Fondacionit gjerman “Kondrad Adenauer”, për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë për hapjen e negociatave.

Gjithashtu ditën e djeshme një takim mjaft i rëndësishëm është zhvilluar mes Selës dhe ambasadores së Zvicrës, Veronik Ulman Marti, ku në fokus ka qenë lufta ndaj korrupsionit, e cila është dhe një ndër kriteret kryesore të BE.

Në datën 18, Sela pati kënaqësinë që të mikpriste në zyrat e ASH, ambasadoren e Rumanisë Adela Monica Axinte.

Më 9 Maj Ziadin Sela së bashku me Ilire Dauti pritën në ambientet e Kuvendit delegacionin e OSBE-së, të udhëhequr nga nënkryetari i AP të OSBE-së dhe përfaqësuesi special për EJL, Azay Guliyev, zëvendës i përfaqësuesit special në Vienë, Francesco Pagani dhe nënpunësi administrativ, Sherif Abdili.

Burime për News33.tv bëjnë me dije se takime të tjera pritet të ketë mes Ziadin Selës dhe diplomatëve të huaj. Pas dështimeve të njëpasnjëshme të qeverisë, si duket ndërkombëtarët e shohin si shpresën e vetme ASH, për ringritjen e këtij vendi dhe anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close