LajmeMaqedoni

Vala e të nxehtit vazhdon, temperaturat deri në 39 gradë – ISHP me rekomandime për mbrojtje nga i nxehti

Nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë nga jugu, Maqedonia e Veriut edhe gjatë ditëve në vijim do të përfshihet nga mot me diell dhe shumë i nxehtë. Sipas parashikimeve, temperaturat e larta do të vazhdojnë gjatë fundjavës së zgjatur, por edhe deri në fund të javës së ardhshme, me vranësira të pakta deri mesatare lokale.

Përveç temperaturave të larta gjatë ditës, moti do të jetë i nxehtë edhe në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, gjë që rrit më tej rrezikun për pasoja negative në shëndet, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

Sot pritet mot shumë i nxehtë me erë të dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë nga 11 deri në 21 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 33 deri në 39 gradë.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u rekomandon qytetarëve të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën më të nxehtë të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00. Rekomandohet veshja me rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, përdorimi i syzeve mbrojtëse dhe kapelës me ngjyrë të hapur, si dhe pushime të shpeshta në hije nëse qëndrimi jashtë është i domosdoshëm.

Nga ISHP këshillojnë konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve, veçanërisht ujit dhe pijeve minerale joalkoolike, pa pritur që të shfaqet ndjenja e etjes. Qytetarët duhet të shmangin alkoolin, pijet me kafeinë, pijet shumë të ftohta, si dhe ushqimet e yndyrshme, me shumë kalori dhe produktet me përmbajtje të lartë sheqeri.

Kujdes i veçantë rekomandohet për personat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët, kategoritë sociale të cenueshme, punëtorët që punojnë në ambiente të hapura, si dhe personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, neurologjike, të mushkërive dhe veshkave, diabetin, çrregullimet mendore dhe obezitetin.

ISHP apelon që këta persona ta marrin rregullisht terapinë e përshkruar dhe, në rast të çdo ndryshimi të gjendjes shëndetësore, të konsultohen me mjekun e tyre amë.

Në rast të shfaqjes së simptomave si marramendje, dobësi, shqetësim, etje e fortë ose dhimbje koke, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë, personi të zhvendoset në një vend më të freskët, t’i matet temperatura e trupit dhe t’i jepen ujë ose pije minerale pa gaz.

Në rast të dhimbjeve muskulore nga i nxehti, të cilat zakonisht shfaqen në këmbë, duar ose bark, rekomandohet pushim në një vend të freskët dhe konsumimi i lëngjeve me elektrolite. Nëse ngërçet zgjasin më shumë se një orë, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close