LajmeMaqedoniTopLajm

Ura në Gostivar para ardhjes së mërgimtarëve

Punimet infrastrukturore të cilët kanë filluar në disa pjesë të Komunës së Gostivarit do të vazhdojnë të realizohen deri në fund të muajit qershor dhe më pas do të ndërpriten për të vazhduar në fund të muajit gusht. Këtë e deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, sipas të cilit mërgimtarët nuk do të përballen me probleme në komunikacion shkaku i punimeve në disa rrugë. Sipas tij, Komuna ka përcaktuar paraprakisht dinamikën e realizimit të projekteve që janë në zhvillim, me qëllim shmangien e problemeve shtesë në komunikacion gjatë muajve të verës.

“Para fillimit të aktiviteteve kemi përcaktuar një plan pune që projektet të përfundojnë para ardhjes së bashkëqytetarëve tanë nga mërgata. Të gjitha punët aktuale do të mbyllen, ndërsa kjo ‘ofensivë ndërtimore’ do të ndërpritet për rreth një muaj e gjysmë, deri në fund të muajit gusht, për të vazhduar më pas me aktivitetet ndërtimore”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Nga pushteti lokal në Gostivar vlerësojnë se kjo qasje do të ndihmojë në uljen e ngarkesës në komunikacion dhe do të lehtësojë lëvizjen gjatë periudhës kur qyteti regjistron numër më të madh të qytetarëve dhe automjeteve. Ndër projektet e ardhshme kapitale është edhe ndërtimi i urës së re pranë Gjykatës, me fillim të planifikuar në fillim të muajit korrik. Sipas Valbon Limanit, realizimi i këtij projekti do të kërkojë më shumë kohë, por ai thekson se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm për qytetin. “Shpresoj që qytetarët të kenë durim, sepse në fund do të kemi një vepër moderne dhe një urë të bukur, e cila, ashtu siç kemi paralajmëruar, do të ketë katër korsi”, u shpreh Limani.

Ndryshe, në disa zona të qytetit të Gostivarit po zhvillohen aktivitete intensive infrastrukturore, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë ritëm të shtuar të punimeve, me qëllim që shumica e projekteve të përfundojnë para sezonit veror, kur në qytet kthehen mërgimtarët dhe rritet ndjeshëm frekuentimi nëpër rrugë. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka inspektuar nga afër punimet për rikonstruksionin e rrugës “Nikolla Parapunov”, e cila lidh zonën pranë Sahat Kullës me bulevardin “Vëllezërit Gjinoski”.

Bëhet fjalë për një investim me vlerë prej 3,5 milionë denarësh, ndërsa rruga ka një gjatësi prej 270 metrash. “Dolëm në terren së bashku me ekipin dhe një pjesë të këshilltarëve, i pamë nga afër punimet dhe biseduam me banorët e kësaj pjese të qytetit. Shpresoj që rikonstruksioni i kësaj rruge të kontribuojë për një qarkullim më të mirë dhe më të sigurt në këtë pjesë qendrore të Gostivarit”, tha më tej Limani.

Related Articles

Back to top button
Close
Close