
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e
tij, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi, përgjegjësja e Zyrës për
Marrëdhënie Ndërkombëtare Doc. Dr. Hatibe Dehari Zeqiri, koordinatorja universitare për Erasmus
+, Mr. Sc. Shpresa Ademi si dhe shefja e kabinetit të Rektorit Valmisa Novi, pritën në takim
Sekretarin gjeneral të Universitetit “Necmettin Erbakan” nga Turqia prof. Husezin Yahit Selvi.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes këtyre dy
institucioneve, marrëveshje kjo e cila ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit, mirëkuptimit të
ndërsjellë dhe zhvillimit në fushat e arsimit dhe hulumtimit shkencor. Po ashtu marrëveshja
parasheh edhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe pilot-projekteve; shkëmbim të
stafit hulumtues dhe të mësimdhënësve; shkëmbim të studentëve; organizim të seminareve,
konferencave, punëtorive të përbashkëta; shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve të tjera
për qëllime kërkimi dhe arsimimi.
Gjatë këtij takimi po ashtu u prezantua edhe Atlasi i Maqedonisë së Veriut për nxënësit e
shkollave fillore, i punuar nga ish-studenti i Universitetit të Tetovës Edmond Jonuzi, i cili nëpërmjet
programit Erasmus + ka ndjekur studime njësemestrale në një universitet nga Republika e Turqisë.
Punën hulumtuese në përpilimin e këtij atlasi e ka mentoruar prof. Husezin Yahit Selvi i cili tha se
ky material do ta kompensojë mungesën e atlaseve për nxënësit e shkollave fillore në Maqedoninë e
Veriut.







