
Ukraina pritet të përfshijë së shpejti në Forcat e saj Ajrore avionët luftarakë francezë Dassault Rafale, duke avancuar procesin e rinovimit të flotës ushtarake dhe zëvendësimit gradual të mjeteve ajrore të periudhës sovjetike.
Më 14 korrik, Franca bëri të ditur se do të dërgojë katër prej 16 avionëve Rafale të zotuar për Ukrainën, sapo pilotët dhe personeli teknik ukrainas të kenë përfunduar programin përkatës të trajnimit. Trajnimet pritet të nisin gjatë vitit 2026.
Rafale, i cili hyri në përdorim nga Forcat e Armatosura Franceze në vitin 2001, është një avion shumërolësh që mund të kryejë operacione ajër-ajër dhe ajër-tokë si gjatë ditës, ashtu edhe natën. Ai është angazhuar në disa misione ushtarake ndërkombëtare dhe renditet mes avionëve luftarakë më të sofistikuar në botë.
Me futjen e këtij modeli, aviacioni ushtarak ukrainas do të përdorë tetë tipe avionësh luftarakë, të prodhuar në katër shtete të ndryshme. Krahas avionëve sovjetikë, të cilët ende përbëjnë pjesën kryesore të flotës, Ukraina ka marrë tashmë F-16 amerikanë dhe Mirage 2000 francezë. Ndërkohë, Gripenët suedezë pritet të hyjnë në shërbim në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas ekspertëve, përdorimi i një game kaq të gjerë avionësh krijon vështirësi të konsiderueshme në trajnim, mirëmbajtje dhe organizimin logjistik. Analisti i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), Christoph Bergs, e cilëson këtë si një periudhë tranzicioni drejt objektivit afatgjatë të Kievit për të hequr dorë plotësisht nga avionët sovjetikë dhe për t’i zëvendësuar ata me teknologji perëndimore.
Rafale konsiderohet gjithashtu ndër avionët më të shtrenjtë në treg. Në varësi të konfigurimit dhe paketës së mbështetjes, vlera e një avioni mund të shkojë deri në 250 milionë dollarë. Ndërsa, një orë fluturimi kushton nga 16.000 deri në 31.000 dollarë.
Në perspektivën afatgjatë, Ukraina synon të blejë 100 avionë Rafale. Financimi parashikohet të sigurohet përmes një kredie prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, si edhe nga burime të tjera që Kievi dhe Parisi kanë rënë dakord t’i përdorin.



