
Numri i viktimave nga lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës është rritur në 73.449, pasi në 48 orët e fundit janë vrarë nëntë palestinezë, njoftoi të shtunën Ministria e Shëndetësisë e Gazës, transmeton Anadolu.
Në raportin e saj të përditshëm statistikor, ministria tha se spitalet kanë pranuar nëntë trupa të pajetë, si dhe trupin e një palestinezi tjetër që u nxor nga rrënojat, ndërsa 18 persona u plagosën gjatë së njëjtës periudhë.
Ministria tha se një numër viktimash mbeten nën rrënoja dhe në rrugë, ndërsa ekipet e ambulancave dhe mbrojtjes civile nuk kanë mundur të arrijnë tek ato.
Ajo nuk dha detaje mbi rrethanat në të cilat palestinezët u vranë ose u plagosën, ndërsa ushtria izraelite vazhdon shkeljet e marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori 2025.
Ministria tha se bilanci i viktimave nga shkeljet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit është rritur në 1.313 të vrarë dhe 4.361 të plagosur.
Bilanci i përgjithshëm i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga 8 tetori 2023 ka arritur në 73.449 të vrarë dhe 174.472 të plagosur, shtoi ministria.
Krahas viktimave, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, Izraeli ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës civile të Rripit të Gazës, ndërsa OKB-ja ka vlerësuar se kostot e rindërtimit arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë.



