
“Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër vendet e para në rajon dhe më gjerë, i cili ka transpozuar plotësisht Direktivën NIS 2 nga BE-ja në fushën e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit. Grupi i punës i përbërë nga ekspertë të lartë përgatiti propozim ligjin për një afat shumë të shkurtër kohor, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme pasi që në shtetin tonë nuk ekziston rregullim i duhur ligjor, por ka nevojë edhe për transpozim të direktivës evropiane në lidhje me masat për nivelin e lartë të përbashkët të sigurisë kibernetike”.
Kështu u shpreh ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, me rastin e debatit publik të sotëm për Projektligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformimin digjital.
Ai falënderoi anëtarët e Grupit të Punës ndërdepartamental dhe ndërinstitucional përgjegjëse për përgatitjen e këtij ligji, si dhe të gjithë veprimtarët aktivë që kontribuojnë për një zgjidhje cilësore ligjore dhe përmirësimin e tekstit të ligjit, të publikuar në ENER.
Ministri tha se Ligji do të sigurojë nivel të lartë sigurie të sistemeve të rrjetit dhe informacionit, ndërtimin dhe zgjerimin e infrastrukturës IT, gjegjësisht transformim digjital më efikas dhe efektiv të sektorit publik, shkallë të lartë të qasshmërisë për të siguruar zhvillimin e zgjidhjeve softuerike inovative, si dhe mundësinë e sigurimit të trajnimeve shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për sigurinë kibernetike dhe aftësitë digjitale për të punësuarit në sektorit publik.
Ai theksoi se një nga qëllimet kryesore të këtij ligji është transformimi digjital i sektorit publik, me të cilin do të parashikohet transformim, gjegjësisht kalim nga një infrastrukturë digjitale të shpërndarë në një qasje të centralizuar në cloud-in e Qeverisë, që do të krijohet në afat prej 24 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji
“Ndër të tjera, me këtë ligj parashikohet krijimi i Agjencisë për sigurinë e sistemeve të rrjetit dhe sistemeve të informacionit dhe transformimit digjital, struktura e së cilës është në pajtim me strukturën e organit rregullator ENISA në Bashkimin Evropian. Agjencia do të jetë kompetente për menaxhimin dhe koordinimin e procesit të transformimit digjital të sektorit publik. Përveç kësaj kompetence, sipas Direktivës NIS nga BE-ja, Agjencia do të jetë organi kompetent për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit në vend.”, tha ministri.








