
Shqipëria ka dënuar deklaratat dhe kërcënimet e fundit të milicisë Houthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite, duke përfshirë edhe paralajmërimet për vendosjen e një bllokade detare në rajon.
Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) deklaroi se këto veprime provokuese përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm që cenon drejtpërdrejt lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve detare në Detin e Kuq.
Sipas dikasterit të diplomacisë shqiptare, qëndrimet e milicisë Houthi destabilizojnë më tej rajonin dhe dëmtojnë përpjekjet globale për zgjidhjen e konfliktit.
Në reagimin e saj zyrtar, MEPJ bën të qartë edhe pasojat e këtyre kërcënimeve.
“Veprime të tilla provokuese dhe përshkallëzuese destabilizojnë më tej rajonin, kërcënojnë lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve detare në Detin e Kuq dhe minojnë përpjekjet ndërkombëtare për të arritur paqen dhe stabilitetin në Jemen.”, thuhet në deklaratë.
Solidariteti i Shqipërisë me Arabinë Saudite
Duke rikonfirmuar linjën e saj të politikës së jashtme dhe angazhimin krah partnerëve ndërkombëtarë, Shqipëria shprehu qëndrimin e saj të palëkundur në krah të Riadit zyrtar.
Lidhur me përkushtimin për sigurinë rajonale, në deklaratë theksohet se “Shqipëria qëndron fort me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe partnerët e saj rajonalë në përballjen me kërcënimet ndaj sigurisë rajonale dhe lundrimit ndërkombëtar dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur përpjekjet ndërkombëtare që synojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.”



