
Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Sirisë dhe shteteve të tjera të rajonit që ndjekin politika paqësore në përballjen me “aktivitetet destabilizuese” të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha të enjten Drejtori i Komunikimeve i Presidencës turke, Burhanettin Duran.
Duke iu përgjigjur pyetjeve nga Anadolu lidhur me deklaratat e Netanyahut kundër Turqisë, Duran tha se kërcënimet dhe deklaratat e pavërteta të Netanyahut drejtuar Turqisë dhe Sirisë pasqyrojnë “izolimin e tij në rritje ndërkombëtar, frikën politike dhe iluzionet e tij”.
Ai tha se përpjekjet për të çorientuar komunitetin ndërkombëtar duke krijuar “kërcënime dhe armiq imagjinarë” nuk janë më efektive, pasi komuniteti ndërkombëtar ka arritur një konsensus mbi natyrën e politikave të Izraelit.
Duran tha se reagimet nga SHBA-ja, Britania dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar ndaj politikave të Izraelit po shtohen, duke theksuar se Netanyahu i është drejtuar kësaj retorike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme dhe shqetësimeve të politikës së brendshme.
“Ai e sheh armiqësinë ndaj Turqisë si mjet politik për të mbijetuar. Për më tepër, në konkurrencë me partitë e tjera radikale, ai po nxit armiqësinë ndaj Turqisë dhe vendeve të tjera të rajonit”, tha Duran.
Ai shtoi se Netanyahu po ndjek gjithashtu objektiva të politikës së jashtme përmes kësaj retorike.
“Politikat e tij agresive nga Gaza në Siri dhe Liban, dhuna e kolonëve që ai ka toleruar dhe deklaratat e figurave ekstremiste, veçanërisht të ministrave në kabinetin e tij, e kanë ulur imazhin e Izraelit në një nga pikat më të ulëta në historinë e tij”, tha ai.
Netanyahu dhe ata që ai i përshkroi si bashkëpunëtorët e tij po përpiqen të largojnë vëmendjen nga veprimet e tyre duke akuzuar vendet e rajonit, veçanërisht Turqinë, tha Duran.
“Përpjekja e tij për të fajësuar Turqinë pasi sulmoi Sirinë është shembulli më i qartë i kësaj”, tha ai gjithashtu.
“Por ka një gjë që ata harrojnë. Problemi nuk është se njerëzit nuk i kuptojnë sa duhet politikat e Izraelit; por se gjithnjë e më shumë njerëz po i kuptojnë dhe po i refuzojnë ato politika”, tha ai, duke shtuar: “Prandaj, akuza të tilla, si dhe fushatat e komunikimit me buxhet të lartë, prodhojnë vetëm rezultate të kufizuara”.
– Qëndrim i fortë rajonal
I pyetur nëse deklaratat e Netanyahut mund të çojnë në zgjerimin e përballjes së Izraelit me Turqinë, Duran tha se komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e rajonit po mbajnë një qëndrim të fortë kundër asaj që ai e quajti mentalitet pushtues të Netanyahut dhe projektit të tij për ndezjen e një lufte rajonale.
“I gjithë rajoni po bashkohet kundër një aktori strategjik destabilizues. Veçanërisht gjatë tri viteve të fundit, i gjithë rajoni ka dëshmuar shkatërrimin dhe luftën e shkaktuar nga një fqinj agresiv”, tha ai.
Duran tha se qeveria aktuale izraelite ka braktisur diplomacinë dhe dialogun, duke argumentuar se ajo e barazon sigurinë jo me stabilitetin dhe diplomacinë, por me agresionin e vazhdueshëm.
“Dinamika kryesore pas qëndrimit të saj ndaj Turqisë nuk është se Turqia përbën kërcënim për Izraelin, por se Turqia, përmes fuqisë dhe ndikimit të saj aktual, ndjek politika të arsyeshme që kundërshtojnë dëmin që Izraeli i shkakton sigurisë dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.
Duke komentuar kritikat ndaj deklaratave të Netanyahut brenda Izraelit, Duran tha se Turqia mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes dhe pajtimit.
“Shqetësimi ynë kryesor është t’i japim fund gjakderdhjes dhe vuajtjeve në rajon, ndërsa situata në Gaza dhe çështja palestineze kanë rëndësi jetike për ne”, tha ai.
Ai shtoi se figurat e opozitës izraelite e kanë përshkruar shpesh retorikën antiturke të Netanyahut si “të papërgjegjshme, ekstreme dhe të pamenduar”, duke thënë se ajo ka shkaktuar shqetësim në shoqërinë izraelite.
“Edhe politikanët izraelitë pranojnë se Izraeli ka humbur shumë nga aleatët e tij dhe është diskredituar gjithnjë e më shumë. Për më tepër, politika e krijimit të tensioneve me Turqinë nuk ka sjellë asnjë përfitim konkret”, tha ai.
– “Netanyahu gjenocidal”
Duran e përshkroi Turqinë si “aleate të NATO-s që ka forcuar vazhdimisht ndikimin e saj rajonal dhe global, ka fuqizuar kapacitetet e saj të forta dhe ka zhvilluar vazhdimisht aftësitë e saj të avancuara”.
Ai tha se rruga më e mençur për qeverinë izraelite do të ishte të punonte drejt një zgjidhjeje me dy shtete, në vend që të kërcënojë vendet fqinje, të shënjestrojë Xhaminë Al-Aksa në Kuds dhe të planifikojë vendbanime të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Si Turqi, ne do të vazhdojmë t’u kundërvihemi aktiviteteve destabilizuese të Netanyahut gjenocidal dhe të qëndrojmë pranë të gjitha vendeve të rajonit tonë, veçanërisht Sirisë, që ndjekin politika paqësore”, tha Duran.
Ai e përshkroi Turqinë si një nga shtetet më me përvojë dhe më të rrënjosura thellë në rajon.
“Tradita jonë shtetërore është e thellë. Jemi një vend i matur, i qetë dhe i fuqishëm”, tha ai.
“Historia tregon qartë se nuk ka asgjë që nuk mund të bëjmë për sigurinë tonë, mbijetesën e shtetit tonë dhe mirëqenien e kombit tonë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar as sot”, theksoi ai.
Duran tha se Turqia ka përvojë të mjaftueshme për të mos rënë pre e “lojërave të figurave si Netanyahu, të cilët kërkojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.
“Ne jemi një vend i respektuar në mbarë botën për qasjen tonë që i jep përparësi paqes dhe përpjekjeve për paqe në rajonin tonë dhe në mbarë botën”, tha ai.
“Politika e matur dhe paqësore e jashtme e Turqisë do t’i pengojë planet e përgjakshme të figurave të diskredituara si Netanyahu, të cilët nuk do të hezitonin t’ia vinin flakën rajonit për të siguruar të ardhmen e tyre politike”, deklaroi Duran
“Askush nuk mund ta prishë paqen e kombit tonë dhe miqve tanë. Turqia nuk do ta lejojë kurrë këtë”, shtoi ai.



