
Drejtori ekzekutiv i kompanisë turke të industrisë së mbrojtjes ASELSAN, Ahmet Akyol, ka deklaruar se detet dhe marina kanë rëndësi strategjike për Turqinë për shkak të pozitës së saj gjeografike, raporton Anadolu.
“Fati i 86 milionë qytetarëve tanë dhe i vendeve mike që kanë varur shpresat te Turqia do të përcaktohet nga fuqia jonë në det. Për këtë arsye, ka më shumë nevojë se kurrë për një marinë të fortë”, tha Akyol, teksa në Komandën e Kantierit Detar Golcukut, në provincën Kocaeli, nisi aktiviteti kryesor detar i mbrojtjes në Turqi, TEKNOFEST Atdheu Blu.
Anadolu shërben si partner global i komunikimit për ekspozitën katërditore, e cila prezanton kapacitetet detare të Turqisë, teknologjitë nënujore dhe një gamë produktesh të mbrojtjes, nga platformat detare dhe sistemet pa pilot deri te avionët, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe sistemet raketore.
“Paraardhësit tanë që u vendosën në Anadoll e kuptuan që në fillim se fati i këtij rajoni përcaktohej jo vetëm në tokë, por edhe në det. Edhe sot, fati i 86 milionë qytetarëve tanë dhe i vendeve mike që kanë varur shpresat te Turqia do të përcaktohet nga fuqia jonë në det. Për këtë arsye, kemi nevojë për një marinë të fortë më shumë se kurrë”, tha Akyol.
Ai tha se ndërtimi i anijeve do të rifillojë në kantierin detar Golcukut, pas një ndërprerjeje të gjatë, dhe se në këtë objekt do të prodhohet gjithashtu nëndetësja MILDEN, e zhvilluar tërësisht me kapacitete vendase.
Duke theksuar se ky hap ka një rëndësi të madhe si për Kocaelin, ashtu edhe për Turqinë, Akyol tha:
“Si një banor i këtij qyteti, jam krenar të njoftoj këtu se, për të mbështetur aktivitetet e ASELSAN-it, kemi nisur gjithashtu ndërtimin e një objekti të ri, krahas atij ekzistues në kantierin detar”.



