
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të heqë sanksionet ndaj Sirisë, përpara një takimi të pritshëm me liderin e saj Ahmed al-Sharaa.
Trumpi ka rënë dakord ta “përshëndesë” presidentin e përkohshëm të Sirisë të mërkurën në Arabinë Saudite, si pjesë e turneut të tij në Lindjen e Mesme, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, raporton BBC.
Më pas presidenti amerikan pritet të udhëtojë për në Katar.
Njoftimi për heqjen e sanksioneve u prit me ngazëllim në kryeqytetin sirian të Damaskut, ku u dëgjuan brohoritje, vallëzime dhe të shtëna festive.
Sanksionet kishin bllokuar më parë çdo financim të huaj, përfshirë ndihmën, që të arrinte në Siri dhe fillimisht kishin për qëllim të ushtronin presion mbi diktaturën e presidentit tashmë të rrëzuar, Bashar al-Assad.
Trumpi ka thënë se ndryshimi i politikës do t’i jepte Sirisë “një shans për madhështi”, duke thënë në një forum nvestimesh në Riad të Arabisë Saudite, se “është koha e tyre për të shkëlqyer”.
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani e ka mirëpritur vendimin si një “pikë kthese kryesore për vendin” në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve të vendit, Sana.
“Vendi pret me padurim një të ardhme të stabilitetit, vetë-mjaftueshmërisë dhe rindërtimit të vërtetë pas viteve të një lufte shkatërruese”, ka deklaruar ai.
Nëntëdhjetë për qind e popullsisë së Sirisë ka mbetur nën kufirin e varfërisë në fund të regjimit të Asadit dhe qeveria e saj e re ka bërë presion për t’i dhënë fund sanksioneve që kur Assadi është rrëzuar nga pushteti, në dhjetor.
Al-Sharaa i ka thënë BBC-së në një intervistë në fund të vitit të kaluar se Siria nuk është më një kërcënim për botën dhe ka bërë thirrje për heqjen e sanksioneve.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupi islamik që ka rrëzuar Assadin, të hiqet nga lista si një organizatë terroriste. Është caktuar e tillë si ga OKB-ja, SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe, ndër shumë të tjera, pasi filloi si një grup i ndarë i al-Kaedës, nga i cili u shkëput në vitin 2016.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, zyrtarisht mori detyrën një muaj pas rënies së shpejtë të regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor.
Forcat e tij udhëhoqën koalicionin e grupeve militante në një fushatë të shpejtë e cila rrëzoi regjimin brutal që sundoi vendin e shkatërruar nga lufta për dekada.
Më parë, ai ishte komandant i Al-Kaedës, por që atëherë ka ndërprerë lidhjet me grupin. Kur ai mori rolin, al-Sharaa theksoi se qeveria e re e Sirisë përballej me një “detyrë të rëndë dhe një përgjegjësi të madhe”, raporton BBC.
Pas përmbysjes së Bashar al-Assadit, 90% e popullsisë së Sirisë ishte nën kufirin e varfërisë, teksa dhuna vazhdonte me përleshje midis fraksioneve të armatosura islamike, forcave të sigurisë dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze.
Ka pasur gjithashtu vrasje masive të qindra civilëve nga komuniteti pakicë alavit në rajonin bregdetar perëndimor në mars, gjatë përleshjeve midis forcave të reja të sigurisë dhe besnikëve të Assadit.
Njoftimi i Trumpit të martën për heqjen e sanksioneve është pritur me pozitivitet në Siri, dhe takimi midis al-Sharaa dhe presidentit amerikan Donald Trump do të jetë hera e parë që liderët amerikanë dhe sirianë takohen që nga viti 2000.
Lëvizja po ashtu mund të shënojë një shkrirje të mëtejshme të marrëdhënieve midis dy vendeve, pasi SHBA-ja kishte hequr një shpërblim prej 10 milion dollarësh për arrestimin e al-Sharaa në dhjetor, pas takimeve diplomatike.



