LajmeMaqedoni

Iniciativa për Reforma në BFI: Xhamitë duhet të kontrollojnë BFI-në – Koha për të rikthyer legjitimitetin

Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të kryetarit aktual të BFI-së, Shaqir Fetahu, duke e akuzuar për devijim nga vullneti i xhematit dhe për kapje të institucionit nga grupe jolegjitime, transmeton zyrtare.

Në një deklaratë të publikuar nga Bejadin Ameti, përfaqësues i Iniciativës për Reforma, theksohet se xhamitë kanë qenë gjithmonë shtylla e jetës fetare islame dhe burimi i autoritetit legjitim brenda BFI-së, por sipas tij, kjo renditje tashmë është përmbysur.

“BFI-ja nuk është më nën ndikimin e xhamive dhe xhematit. Përkundrazi, është e kapur nga duar që nuk kanë lidhje me vullnetin e besimtarëve,” thuhet në reagim.

Ameti rikujton se çdo mysliman është së pari pjesë e xhematit të xhamisë dhe e këshillave të saj, dhe vetëm pas kësaj, pjesë e strukturave të BFI-së. Sipas tij, legjitimiteti i BFI-së nuk buron nga marrëveshje të errëta apo klane të dyshimta, por nga baza – nga vetë xhemati.

“Duhet t’i japim fund kapjes së këtij institucioni nga grupe të interesit dhe individë që as nuk janë të zgjedhur, e as nuk përfaqësojnë as shpirtin e fesë, as zërin e xhematit,” apelon Ameti.

Ai bën thirrje për një reformim rrënjësor dhe rikthim të legalitetit në institucionin më të lartë të myslimanëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “BFI-ja është e besimtarëve dhe e xhamive, jo e klaneve dhe interesave.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close