BotaLajme

Trump planifikon të financojë me 12 milionë dollarë organizata konservatore në Britani

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump planifikon të akordojë rreth 12 milionë dollarë për organizata konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, një veprim që ka ngjallur reagime dhe akuza për ndërhyrje në politikën evropiane.

Sipas dokumenteve të qeverisë amerikane, të publikuara nga The Guardian, fondet janë pjesë e një pakete mbështetjeje për organizata në Evropë që konsiderohen të afërta me prioritetet e administratës Trump.

Pjesa më e madhe e financimit, 7 milionë dollarë, është parashikuar për organizatën 878, e themeluar nga ish-ministri konservator Jacob Rees-Mogg dhe ish-këshilltari i tij Radomir Tylecote. Organizata prezantohet si një institut kërkimor që promovon vlerat tradicionale perëndimore, luftën kundër emigracionit masiv dhe mbrojtjen e lirive themelore.

Një tjetër grant prej 5 milionë dollarësh është planifikuar për Free Speech Union International, organizatë e krijuar nga politikani konservator Toby Young, e cila deklaron se mbron lirinë e shprehjes dhe kundërshton rregullimin e tepërt të platformave digjitale në Britani, Evropë dhe Australi.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se administrata amerikane ka rezervuar edhe 3 milionë dollarë për Jobs Foundation, një organizatë britanike që promovon politikat pro-biznes dhe investimet.

Të tre grantet pritet të jepen pa konkurs, përmes procedurës së njohur si “sole source grants”, çka do të thotë se fondet do t’u akordohen drejtpërdrejt organizatave të përzgjedhura. Pikërisht kjo mënyrë financimi ka nxitur kritika nga ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, të cilët e konsiderojnë procesin si një shmangie të procedurave standarde dhe një përpjekje për të mbështetur organizata me orientim konservator në Evropë.

Një ish-zyrtar amerikan e cilësoi procesin “skandaloz”, ndërsa një tjetër tha se përdorimi i parave të taksapaguesve amerikanë për qëllime të tilla përbën një administrim të papërgjegjshëm të fondeve publike.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz reagoi duke deklaruar se nuk dëshiron që qeveria amerikane apo organizata pranë saj të ndërhyjnë në proceset zgjedhore të vendeve evropiane.

Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Shtetit sqaroi se grantet janë ende në fazën e shqyrtimit dhe se vendimet përfundimtare nuk janë marrë. Sipas zyrtarëve amerikanë, programi synon të mbështesë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të SHBA-ve dhe çdo financim do t’i nënshtrohet procedurave të zakonshme të verifikimit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close