BotaLajme

Trump pezulloi sulmet ndaj Iranit: Po i japim një shans diplomacisë, por koha po mbaron

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka vendosur të pezullojë përkohësisht sulmet ushtarake amerikane ndaj Iranit për t’i dhënë një mundësi të re diplomacisë, por paralajmëroi se operacionet ushtarake mund të rifillojnë nëse negociatat nuk japin rezultat.

Në një intervistë për Axios, Trump tha se Uashingtoni është i angazhuar në bisedime intensive me Teheranin, të cilat synojnë arritjen e një marrëveshjeje të re për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor iranian.

Sipas raportimeve, negociatat po zhvillohen kryesisht mes Iranit dhe Omanit, me pjesëmarrjen e Katarit, Pakistanit dhe Egjiptit, si edhe të dërguarve të posaçëm të presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

“Jemi në bisedime shumë të thella me Iranin. Nëse ato nuk funksionojnë, do t’i rikthehemi veprimeve shumë të forta ushtarake”, deklaroi Trump.

I pyetur se sa kohë është i gatshëm t’i japë diplomacisë, presidenti amerikan u përgjigj shkurt: “Jo shumë. Ose do të ecë shpejt, ose nuk do të ecë fare.”

Trump zbuloi gjithashtu se vendimin për të pezulluar operacionet ushtarake e mori të premten, pasi vendet që ndërmjetësojnë negociatat i kërkuan të mos ndërmarrë sulme dhe t’i japë një mundësi të fundit dialogut.

“Të gjithë ata që ishin të përfshirë në bisedimet me Iranin më thanë: ‘Mos sulmo’. Besoj se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan shtoi se nga vendimi për të ndalur sulmet “nuk u fitua asgjë, por as nuk u humb asgjë”, duke theksuar se menjëherë pas kësaj lëvizjeje çmimet e naftës ranë, ndërsa tregjet financiare reaguan pozitivisht me rritje.

Ndërkohë, Trump pritet të presë të martën në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ai tha se një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë situata me Iranin.

“Nëse nuk do të isha president, Irani do të kishte tashmë armë bërthamore dhe Izraeli do të ishte shkatërruar”, deklaroi Trump.

Related Articles

Back to top button
Close
Close