
Samiti i NATO-s në Ankara nxori përsëri në sipërfaqe një nga çështjet më të ndjeshme për ekuilibrat në Egje dhe Mesdheun Lindor: mundësinë që Turqia të rikthehet në programin amerikan të avionëve ushtarakë F-35.
Ankaraja e interpretoi këtë si një sinjal pozitiv. Presidenti Erdogan deklaroi se pret një vendim të favorshëm dhe kritikoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se nuk duhej të kundërshtonte blerjen e avionëve F-35 nga Turqia.
Ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, në deklaratat e tij ishte edhe më i prerë. Ai deklaroi se për momentin nuk ka çështje heqjeje të kufizimeve për Turqinë, pasi çdo ndryshim kërkon vendim të ri nga Kongresi amerikan.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, e tha hapur se Greqia nuk do të ishte e kënaqur nëse Turqia merr F-35 apo motorë për avionë të gjeneratës së re. Ai i bëri thirrje Uashingtonit të pyesë veten nëse një vendim i tillë i shërben vërtet interesave amerikane.
Në sfond mbetet edhe çështja e casus belli, kërcënimi turk për luftë në rast se Greqia zgjeron ujërat territoriale në Egje. Mitsotakis e quajti këtë “anakronizëm historik” që nuk përputhet me klimën e dialogut mes dy vendeve.
Edhe pse Athina dhe Ankaraja vazhdojnë të flasin kohët e fundit për ujëra të qeta në Egje , dosja e F-35 tregon se ekuilibri mes tyre mbetet i brishtë.




