
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke i cilësuar negociatorët iranianë si “dinakë” dhe “të pandershëm”.
Në një intervistë me Wayne Allyn Root, Trump tha se Teherani shpesh bie dakord për marrëveshje dhe më pas mohon se ka arritur ndonjë dakordim.
Trump paralajmëroi se SHBA-ja mund të vazhdojë presionin ndaj Iranit, ndërsa pretendoi se vendi po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe ushtarake.
Sipas tij, Irani po përballet me inflacion prej 300 për qind dhe zhvlerësim të monedhës, ndërsa pretendoi se vështirësitë financiare kanë prekur edhe ushtrinë iraniane.
“Ata nuk po i paguajnë ushtarët e tyre, ushtarët e tyre po dezertojnë”, tha Trump, duke shtuar se situata është e paqëndrueshme për Teheranin.
Komentet e presidentit amerikan vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa vazhdojnë mosmarrëveshjet për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.



