
Thashethemet qarkullojnë prej muajsh dhe në Angli nuk kanë më dyshime për marrëveshjen e arritur mes Realit dhe Trent-Alexander Arnold. Madje, flitet edhe për mundësinë e përshpejtimit të transferimit me disa javë, në mënyrë që anglezi të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Klubeve, ndoshta pas një kompensimi të vogël për Liverpool-in.
Ky transferim konfirmon qartë politikën e Real Madridit vitet e fundit: të synojë lojtarë të lirë në merkato. Nga Alaba te Mbappé, një yll me parametër zero çdo vit.
Kjo strategji nisi në vitin 2021, pasi klubi kishte shpenzuar 361 milionë euro në merkato disa vite më parë për blerje të dështuara. Për këtë arsye, klubi vendosi të fokusonte burimet e tij te lojtarët e lirë. David Alaba ishte i pari që u transferua në këtë mënyrë, në moshën 29-vjeçare, duke përfituar 11 milionë euro neto në vit. Antonio Rüdiger erdhi një vit më pas, në 2022, me një pagë prej 7 milionë eurosh + 2 milionë bonuse.
Kylian Mbappé, transferimi i fundit i madh, firmosi në verën e 2023-shit, duke përfituar 15 milionë euro neto në vit + 19.4 milionë euro bonuse.
Për Alexander-Arnold, flitet për 8 milionë euro në vit për pesë sezone, ndërkohë që Real Madridi kursen 70 milionë euro, që është vlera e tij e tregut.
Ana tjetër e medaljes, rritja e kostove të pagave
Duke marrë lojtarë të lirë me paga të larta, Real Madridi është klubi i dytë në Evropë me shpenzimet më të larta vjetore për pagat e lojtarëve: 274 milionë euro bruto në vit (sipas Capology). Vetëm Bayerni ka një shifër më të lartë (276 milionë). Pas tyre vijnë Manchester City (266) dhe Paris Saint-Germain (222).
Historia e lojtarëve të lirë te Real Madrid
Real Madridi nuk është i ri në këtë strategji, edhe pse në të kaluarën shumica e lojtarëve të marrë me parametër zero nuk kanë pasur ndikim të madh. Përjashtim bën vetëm Steve McManaman, i cili erdhi nga Liverpooli në vitin 1999 dhe ishte vendimtar në Champions League duke shënuar në finalen kundër Valencias. Ai kontribuoi edhe në trofeun e 2002-shit, duke shënuar në një gjysmëfinale historike ndaj Barcelonës në ‘Camp Nou’.
Në të kundërt, Albert Celades, Christoph Metzelder, Javier Saviola, Jerzy Dudek dhe Hamit Altintop nuk patën të njëjtin sukses.



