LajmeMaqedoniTopLajm

Trençevska: VMRO‑DPMNE i mashtroi pensionistët

VMRO i gënjeu pensionistët dhe në kohë krize ekonomike nuk solli asnjë masë konkrete për t’i ndihmuar, akuzoi nënkryetarja e SDSM, Jovana Trençevska, në paraqitje në emisionin “Tema e ditës” në Sitel.

Trençevska theksoi se pushteti fillimisht e la anash modelin ligjor të harmonizimit përqindor dhe futi rritje lineare prej nga 1.000 denarë, edhe pse SDSM tregonte se pensionet duhet të harmonizohen sipas metodologjisë ligjore. Tani, pushteti po kthehet në harmonizimin përqindor, pra në modelin për të cilin SDSM gjatë gjithë kohës insistonte të respektohej.

Ajo theksoi se në periudhë kur pensionistët përballen me shpenzime të rritura për jetesë, çmime më të larta të produkteve ushqimore bazë, fatura më të larta për energji elektrike, ngrohje dhe shpenzime të tjera, pushteti nuk ndërmori asnjë masë për mbrojtjen e qytetarëve më të cenueshëm, ndër ta edhe pensionistët me pensione më të ulëta.

“Prapa disa muajve kemi krizë, kemi rritje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, rritje të energjisë elektrike, të ngrohjes, të të gjitha shpenzimeve. Në atë periudhë asnjëherë nuk sollët masë për t’i mbrojtur më të cenueshmit, përfshirë edhe pensionistët me pension të ulët”, theksoi Trençevska.

Ajo porositi se pikërisht në kushte të tilla, në vend të ndihmës konkrete dhe mbrojtjes së standardit të pensionistëve, pushteti vazhdon me vendime të motivuara politikisht dhe manipulime rreth sistemit pensional.

“Nëse paraprakisht e dini se një vendim që do ta merrni është kundërkushtetues dhe atë e bëni jo një herë, por katër herë, e pastaj thoni se për t’i mbrojtur pensionistët do të shkoni në harmonizim përqindor, kjo është vërtet manipulim i madh me pensionistët dhe shfrytëzimi i tyre për qëllime politike”, theksoi Trençevska.

Trençevska theksoi se pushteti duhej me kohë ta respektonte ligjin ekzistues dhe metodologjinë për harmonizimin e pensioneve, në vend që harmonizimet e mëparshme t’i bënte në mënyrë lineare, e pastaj sërish të kthehej në modelin ligjor.

“Duhet të respektohet ligji që ekziston, duhet të respektohet Kushtetuta. Mirëpo, këtë duhej ta bënin edhe më parë, në mars 2026 dhe në shtator 2025, kur edhe përqindjet do të ishin më të mëdha se sa janë tani”, tha Trençevska.

Trençevska theksoi se ajo që ndodh me sistemin pensional dhe politikat ndaj pensionistëve në dy vitet e fundit është edhe një konfirmim për politikat e pasuksesshme të VMRO.

“Qëndrimi i pushtetit ndaj pensionistëve është i motivuar politikisht dhe manipulues, veçanërisht duke pasur parasysh se pensioni është kategori ekonomike, e jo sociale. Pensionistët nuk duhet të jenë mjet për qëllime ditore‑politike, por meritojnë sistem të parashikueshëm, respektim të ligjeve dhe masa konkrete që do ta mbrojnë standardin e tyre jetësor”, tha Trençevska.

Related Articles

Back to top button
Close
Close