
Tre persona nga Shkupi janë privuar nga liria për shkak të tentativës për të marrë kredi bankare me dokumentacion të falsifikuar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Zyrtarët policorë nga SPB Shkup, Njësia për Krim Ekonomik dhe Krim Kompjuterik, më 29 korrik kanë arrestuar I.T. (45), S.T. (21) dhe P.P. (29), të gjithë nga Shkupi, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “falsifikim i dokumentit” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Sipas informacioneve të policisë, I.T., me ndihmën e dy personave të tjerë, ka tentuar që në një bankë në Shkup të paraqesë kërkesë dhe të marrë kredi në vlerë prej 900.000 denarësh, duke përdorur letërnjoftim të falsifikuar me të dhëna të një personi tjetër, si dhe dokumentacion të falsifikuar kreditor.
Personat janë arrestuar në momentin kur dokumentacioni i falsifikuar po përpunohej në bankë.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, në koordinim me prokurorin publik kujdestar, personat janë dërguar para gjyqtarit për procedurë paraprake.



