
Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytetin Khan Younis në Gaza, ku një pediatre humbi nëntë nga dhjetë fëmijët e saj gjatë një sulmi ajror izraelit. Ngjarja ndodhi ndërsa mjekja Alaa al-Najjar ndodhej në detyrë në spitalin “Nasser”, ku punon prej kohësh.
Sipas deklaratës së spitalit, vetëm një prej fëmijëve dhe bashkëshorti i saj mbijetuan, ndonëse me plagë. Kirurgu britanik Graeme Groom, i cili punon në të njëjtin spital, tha se kishte operuar djalin 11-vjeçar të mbijetuar. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi, shtëpia e familjes u godit vetëm disa minuta pasi bashkëshorti i mjekes ishte kthyer në shtëpi pasi e kishte çuar atë në punë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se gjatë 24 orëve të fundit kanë goditur mbi 100 objektiva në të gjithë Gazën. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se të paktën 74 persona janë vrarë vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Dr. Muneer Alboursh, tha se fëmija më i madh i familjes al-Najjar ishte vetëm 12 vjeç. Në një video të publikuar nga një tjetër kirurg britanik që punon në spitalin “Nasser”, thuhet se babai i fëmijëve është në gjendje shumë të rëndë.
Një tjetër mjek, Youssef Abu al-Rish, tregoi se kishte parë mjeken duke kërkuar me ankth informacion për djalin e saj të mbijetuar në sallën e operacionit.




