
Aktiviteti nisi me pritjen tradicionale nën tingujt e çiftelive, daulleve dhe tupanëve të Dibrës së Madhe, duke krijuar një atmosferë festive dhe autentike. Më pas u prezantuan dasma tradicionale e Rekës së Epërme, vallet dhe këngët karakteristike të kësaj treve, lojërat popullore, si dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme” edhe këtë vit organizoi manifestimin tradicional “Takimet e Rekës së Epërme”, një ngjarje që tashmë është shndërruar në simbol të ruajtjes së identitetit, kulturës dhe trashëgimisë së kësaj treve shqiptare. Në fshatin Rimnicë u mblodhën banorë vendas dhe ish-banorë të Rekës së Epërme, të cilët sot jetojnë në Gostivar, Tetovë, Shkup, Dibër dhe qytete të tjera të vendit, si dhe mërgimtarë nga Italia, Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Në manifestim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe të shoqatave të ndryshme kulturore.
Aktiviteti nisi me pritjen tradicionale nën tingujt e çiftelive, daulleve dhe tupanëve të Dibrës së Madhe, duke krijuar një atmosferë festive dhe autentike. Më pas u prezantuan dasma tradicionale e Rekës së Epërme, vallet dhe këngët karakteristike të kësaj treve, lojërat popullore, si dhe elemente të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare. Të pranishmit i ndoqën me emocion dhe duartrokitje interpretimet artistike, të cilat pasqyruan historinë, zakonet dhe traditat e kësaj treve autoktone shqiptare. Organizatorët theksuan se përmes këtij manifestimi vazhdon të ruhet dhe të promovohet kultura e Rekës së Epërme, duke e përcjellë atë edhe te brezat e rinj.
Manifestimi kishte nisur më 26 korrik me Marshin Tradicional, ndërsa aktiviteti qendror u mbajt më 2 gusht në fshatin Rimnicë, ku morën pjesë qindra vizitorë nga vendi dhe diaspora. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili vlerësoi rëndësinë e manifestimit si një ngjarje që bashkon banorët, mërgimtarët dhe miqtë e kësaj treve. “Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar për të mbështetur aktivitetet që promovojnë kulturën, traditën dhe identitetin tonë kombëtar”, deklaroi Mela. Ai përgëzoi organizatorët për angazhimin e tyre në ruajtjen e kësaj tradite të rëndësishme, duke theksuar se manifestime të tilla forcojnë lidhjet ndërmjet brezave dhe promovojnë trashëgiminë kulturore të Rekës së Epërme.
I pranishëm në këtë event ishte edhe zëvendësambasadori shqiptar, Andi Sedja, i cili tha se kujtesa e Rekës është më e madhe se çdo ndarje.
“Këtë kujtesë e mbajtën gjallë nënat si Zafirka Tanashi Manojlovski, që ua dhanë fëmijëve gjuhën e amës mes vuajtjes dhe diskriminimit, biri i saj Branko Manojlovski, Josif Bageri, ndër themeluesit e shoqërisë ‘Dëshira’ në Sofje, Bajazid Doda, që dokumentoi në Vjenë jetën e kësaj treve, dhe shumë bij e bija të Rekës”, tha mes tjerash zëvendësambasadori shqiptar.
Pjesëmarrësit, me të cilët bisedoi gazeta KOHA, vlerësuan se “Takimet e Rekës së Epërme” tashmë kanë marrë përmasa të një manifestimi me rëndësi të veçantë kombëtare. Sipas tyre, përmes këngëve, valleve, lojërave tradicionale dhe riteve popullore ruhet dhe promovohet identiteti kulturor i kësaj treve shqiptare. Në pjesën artistike interpretuan këngëtarë të njohur të muzikës popullore shqiptare, ndër ta edhe këngëtari dibran Haxhi Maqellara, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se manifestime të tilla kanë vlera të mëdha historike, kulturore dhe kombëtare, pasi mbajnë gjallë kujtesën, traditën dhe lidhjen e diasporës me vendlindjen.



