Sport

Të veçantat e këtij edicioni jubilar, a do të thyhet dominimi anglo-spanjoll?

Një muaj e tri ditë më vonë, krahasuar me edicionin e mëparshëm, startojnë ndeshjet e fazës së grupeve në Europa League. Bëhet fjalë për një edicion tepër të veçantë, që nis natyrisht me shumë vonesë për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Një edicion jubilar, pasi sezoni 2020-21 është i 50-ti në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në Kupat e Eeropës.

Interesi sa vjen e shtohet për një aktivitet të tillë, duke patur parasysh që drejtuesit e qeverisë europiane të futbollit po bëhen gati për të shtuar një kompeticion të ri, siç është edhe UEFA Europa Conference League.

Tani Europa League shihet me një sy krejt tjetër dhe për këtë aktivitet ka një vlerësim të veçantë, mjafton të shihet edhe niveli i përfaqësimit në fazën çerekfinale të sezonit të kaluar, ku 5 ekipe ishin pikërisht nga 5 ligat kryesore të “Kontinentit të Vjetër”, ndërsa në fazën gjysmëfinale përjashtim bënte vetëm klubi i Shakhtar Donetskut, që vjen nga kampionati ukrainas.

Pavarësisht politikave të UEFA-s po fillon të ndihet një lloj polarizimi i forcave në këtë aktivitet, sidomos pas lejes se veçantë që merr klubi fitues i këtij kompeticioni, për të kërcyer në Kategorinë Elitare Champions League. E në këtë mënyrë, Europa League është shndërruar automatikisht në një kupë anglo–spanjolle, pasi në nëntë vitet e fundit kompeticioni i dytë më i rëndësishëm është fituar vetëm nga klubet që luajnë në Primera Division dhe Premier League. 4 herë ka triumfuar Sevilla, e nga 2 herë klube si Atletico Madrid e Chelsea, ndërsa Manchester United ia doli mbanë për të fituar në sezonin 2016-17.

Dy muaj më parë, në “RheinEnergie Stadion”, klubi i famshëm andaluzian fitoi në mëryrë dramatike finalen me Interin, për t’u kurorëzuar për herë të 6-të në 15 vitet e fundit, e për rrjedhojë Sevilja kryeson në renditjen e përgjithshme me plot dyfishin e trofeve, kundrejt ndjekësve më të afërt si Inter, Liverpool, Juventus dhe Atletico Madrid, që numërojnë nga 3 kupa në këtë aktivitet.

Shorti i 2 tetorit krijoi ndërthurje interesante, gjithsesi skuadrat kryesore përsëri mbeten favorite për të bërë përpara, pa hasur shumë vështirësi. 48 klubet pjesëmarrës përfaqësojnë plot 26 shtete nga Kontinenti i Vjetër dhe sivjet në fazën e grupeve figurojnë plot 7 shtete me nga 3 ekipe.

Nga kampionatet elitare spikasin Spanja, Italia dhe Anglia, megjithatë luksin për të luajtur me tri skuadra këtë herë e kanë gjithashtu edhe vende si Holanda, Belgjika, Çekia apo dhe Austria. Bookmakers-at kuotojnë dy ekipet londineze, Tottenham dhe Arsenal, si skuadrat favorite, ndërsa diçka më poshtë për nga kuotimi qëndrojnë dy klubet e Serisë A, Milan dhe Napoli.

Sa i përket kalendarit, fillimisht skuadrat do të luajnë pa ndërprerje në çdo mesjavë, tri ndeshjet e para në datat 22 tetor, 29 tetor dhe 5 nëntor, ndërsa në vazhdim, pas shkëputjes për shkak të sfidave të skuadrave përfaqësuese, do të zhvillohen edhe ndeshjet e mbetura, pra takimet e kthimit në datat 26 nëntor, 3 dhjetor e 10 dhjetor.

Ndërkohë drejtuesit e UEFA-s kanë konfirmuar humbjen e plot 566 milionë eurove, për shkak të reduktimit të të ardhurave nga transmetuesit televizivë dhe sponsorët e ndryshëm, kuptohet për arsye të shtyrjes së fazës me eliminim të drejtpërdrejtë dhe formatit të përzgjedhur më pas me tek ndeshje, prej frikës së përhapjes së virusit COVID – 19 e për pasojë krerët e Qeverisë Europiane të Futbollit do të reduktojnë shpërblimet për klubet në pesë sezonet e ardhshme, në Kupat e Eeropës, vendim që natyrisht prek shumë edhe kompeticionin e dytë më të rëndësishëm Europa League.

Related Articles

Back to top button
Close
Close