
Temperaturat rekord që kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë sjellë pasojat e para, duke çuar në mbylljen e përkohshme të Panairit të Madh Shtetëror Amerikan në National Mall, në Uashington, DC. Kjo ka ndërprerë një prej aktiviteteve kryesore të festimeve të 4 Korrikut.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, mbi 165 milionë persona ndodhen nën paralajmërime për temperatura ekstreme në Bregun Lindor dhe në rajonin Midwest. Organizatorët e panairit thanë se vendimi është marrë për të mbrojtur vizitorët, vullnetarët, artistët dhe stafin, ndërsa aktiviteti parashikohet të rinisë në mbrëmje, kur temperaturat të bien.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka theksuar se kushtet aktuale përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin e zgjatur në diell, të pinë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e të nxehtit do të vijojë gjatë gjithë fundjavës, ndërsa në disa zona temperaturat po shkojnë në nivelet më të larta të dekadave të fundit.
Në Filadelfia dhe Uashington priten temperatura rreth 41 gradë Celsius, ndërkohë që disa qytete mund të regjistrojnë disa ditë me radhë me temperatura mbi 38 gradë.
Për shkak të kushteve të motit, disa prej aktiviteteve tradicionale të 4 Korrikut janë shtyrë ose janë shkurtuar. Në Uashington, autoritetet e shtynë hyrjen e publikut për koncertin “A Capitol Fourth”, ndërsa hyrja në National Mall për shfaqjen e fishekzjarrëve u zhvendos për në orët e pasdites. Edhe vetë shfaqja e fishekzjarrëve do të nisë më vonë se zakonisht.
Komisioni “America 250”, që është ngarkuar me organizimin e festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, njoftoi se po ndjek nga afër kushtet atmosferike, por për momentin aktivitetet në qytete si Bostoni, Filadelfia dhe New Yorku pritet të zhvillohen sipas planit.
Presidenti Donald Trump pritet të marrë pjesë në aktivitetet e 4 Korrikut dhe të mbajë një fjalim në ambient të hapur, pavarësisht temperaturave të larta që parashikohen gjatë fundjavës.



