LajmeRajon

Syla: Personi i arrestuar në Kroaci nuk rezulton të jetë veteran i UÇK-së

Një 49-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Karasoviqit, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi.

Bëhet fjalë për B.B., nga Nerodimja e Poshtme e Ferizajt, i cili ishte në kërkim nga Interpoli, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Sipas raportimeve të mediave kroate, ai dyshohet për krime lufte.

Lidhur me rastin ka reaguar nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, i cili ka deklaruar për Klankosova.tv se, bazuar në verifikimet fillestare, personi në fjalë nuk figuron në listat e veteranëve.

“Për personin për të cilin ju po interesoheni, bazuar në verifikimet që kam bërë deri më tani, nuk figuron në listat e zonës së Nerodimës. Po ashtu, kam hulumtuar edhe në zonën e Kosharës dhe as aty nuk ka ndonjë person me këtë emër. Pra, 99 për qind ky nuk është veteran dhe nuk ka përfituar certifikatë të veteranit”, ka deklaruar Syla.

Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar edhe me kryetarin e OVL-UÇK-së në Ferizaj, por se as aty nuk është gjetur ndonjë e dhënë për personin e arrestuar.

Syla ka theksuar se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë verifikimet lidhur me këtë rast.

Related Articles

Back to top button
Close
Close