LajmeRajon

Sveçla për mediumin zviceran: Nuk frikësohemi nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë një interviste për mediumin zviceran 20 minuten ka folur për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, ku serbët lokal për 20 ditë gjatë muajit dhjetor kishin vendosur barrikada në shenjë pakënaqësie, pasi policia e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e KQZ-së në veri.

Por, Sveçla ka theksuar se përkundër situatës së tensionuar, “nuk ishte i frikësuar”, kur është pyetur se “a e prisnit që Serbia të pushtonte Kosovën?

“Ishim dhe jemi të shqetësuar, por aspak të frikësuar”, tha Sveçla.

“Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht”, shtoi ai, transmeton AP.

Ai ka theksuar se “aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, tha Kurti.

Ndryshe, ishin 16 barrikada në veri të Kosovës, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan akse nyje të lidhjes mes dy shteteve dhe nuk u mundësua asnjëherë heqja e tyre nga Qeveria e Kosovës apo me ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve, ku KFOR-i nuk mori masa, teksa EULEX-i deklaroi se nuk ka kapacitete të tilla.

Related Articles

Back to top button
Close
Close