
Lidhur me miratimin e Kodit të ri Penal, kryetarja e Lidhjes Liberal‑Demokrate (LDP) dhe deputete në Kuvend, Monika Zaikova, bëri thirrje për drejtësi dhe theksoi se qëndrimet e LDP‑së mbeten të qëndrueshme në mosmbështetjen e ndryshimeve të Kodit Penal, pasi – siç tha – ende po dëshmohet parashkrimi i lëndëve të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.
„Më tragjike është kur në politikë dikush i kritikon gabimet e paraardhësit, e pastaj vjen vetë dhe i përsos të njëjtat gabime, në vend që t’i korrigjojë. Prandaj ishim dëshmitarë të miratimit të një Kodi Penal edhe më katastrofal se ai i mëparshmi, për të cilin LDP sërish alarmoi se ishte vërtet i keq. Por kolegët nga shumica na bindnin se ishte një ligj ‘super’, që në fund të marrim sërish ‘shamar’ nga Brukseli se nuk i plotësojmë kushtet. Ndërkohë, qytetarët humbin para çdo ditë – siç humbën 4 milionë euro për Kodin Zgjedhor, e 170 milionë për moszbatimin e reformave të tjera. Kush do ta mbajë përgjegjësinë?”, deklaroi Zaikova në intervistën për Vesti Plus në Kanal 5.
Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë, Zaikova theksoi se LDP është e gatshme të marrë pjesë.
„E them këtë me vetëbesim dhe me buzëqeshje, sepse besoj në propozimet tona dhe e di që 80% e qytetarëve i mbështesin: listat e hapura, ku përgjegjësia nuk mund të fshihet; heqjen e provizioneve bankare që rëndojnë qytetarët; zvogëlimin e numrit të zëvendësdrejtorëve dhe zëvendësministrave; heqjen e paushalleve të panevojshme në disa borde; byzylykun elektronik për dhunuesit dhe shumë propozime të tjera të LDP‑së. Por ajo që është më e dhimbshme është se partitë e mëdha duan të shkojmë sërish me të njëjtin model zgjedhor. Pse? Sepse ky model u konvenon – marrin më shumë para dhe çdo ditë dëgjojmë kumtesa nga të cilat ‘na kthehen zorrët’”, tha Zaikova.
Ajo komentoi edhe zgjedhjen e saj si nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të OSBE‑së, duke e cilësuar si arritje të rëndësishme për vendin dhe rajonin.
„Zgjedhja si nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të OSBE‑së është para së gjithash krenari kombëtare, jo vetëm personale. Maqedonia kurrë nuk ka pasur përfaqësues në këtë pozicion. As Ballkani Perëndimor. Herën e fundit ka qenë Krivokapiq nga Mali i Zi, në vitin 2000. Kjo pozitë nuk merret me emërim, por me zgjedhje të drejtpërdrejta nga delegacionet e 57 parlamenteve, ku edhe Selia e Shenjtë ka vend nderi. Prandaj ka peshë të madhe – isha në garë me shtatë kundërkandidatë dhe fitorja ka rëndësi të veçantë për mua”, tha Zaikova.
Ajo shtoi se të gjitha çështjet e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë mund të ngrihen si prioritete në bord, brenda fushëveprimit të tij.
„Është shumë e rëndësishme të mbahet lart fokusi për disa shtete, sepse shohim se si disa vende i pozicionojnë agjendat e tyre në institucionet ndërkombëtare. Prandaj është e domosdoshme që edhe Maqedonia të jetë e pranishme vazhdimisht dhe të mbetet në fokusin e agjendës së këtyre institucioneve”, përfundoi kryetarja e LDP‑së, Monika Zaikova.



