
Faza me eliminim direkt e Botërorit premton përballje me peshë historike dhe rivalitete që kanë shënuar historinë e futbollit. Një nga ndeshjet më interesante të 1/8-ave pritet të jetë ajo mes Brazilit dhe Norvegjisë, ku kombëtarja braziliane synon të thyejë një tabu të vjetër.
Brazili nuk ka arritur asnjëherë të fitojë ndaj Norvegjisë në katër përballje zyrtare, duke regjistruar dy humbje dhe dy barazime. Norvegjia është, së bashku me Senegalin, një nga dy kombëtaret ndaj të cilave “Seleção” nuk ka fituar kurrë.
Nëse Brazili kalon Norvegjinë dhe Anglia eliminon Meksikën, çerekfinalet mund të sjellin një tjetër duel historik mes Brazilit dhe Anglisë, duke rikthyer kujtimet e Botërorit 2002, kur Ronaldinho vendosi sfidën me golin spektakolar ndaj David Seaman. Në të njëjtën fazë mund të zhvillohet edhe Francë-Marok, një përballje me interes jo vetëm sportiv, por edhe shoqëror, për shkak të lidhjeve të forta mes dy vendeve.
Në gjysmëfinale mund të rezervohen dy superndeshje. Francë-Spanjë konsiderohet nga shumë analistë si finalja e parakohshme e turneut, me dy skuadrat që shihen si favoritët kryesorë për trofeun.
Një tjetër skenar i mundshëm është derbi klasik i Amerikës së Jugut mes Argjentinës dhe Brazilit, një rivalitet që ka prodhuar disa nga ndeshjet më të paharrueshme në historinë e Kupës së Botës.
Edhe finalja mund të ofrojë një përballje historike. Një Francë-Brazil do të rikthente kujtimet e finales së vitit 1998, ndërsa një Argjentinë-Portugali do të sillte përballjen e fundit të mundshme mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në një Botëror.
Në skenarët alternativë nuk përjashtohet as një finale Francë-Argjentinë, përsëritje e finales së vitit 2022, apo një duel SHBA-Meksikë, që do të kishte peshë sportive, politike dhe simbolike.



