
Tentimet për të frikësuar gazetarët si duket janë bërë fjala kryesore e këtij regjimi monoetnik, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, pas dëmtimit të veturës së gazetarit Naser Selmani.
“Atyre që nuk ju pëlqen e vërteta e hidhur, shtypja që çdo ditë ju bën VMRO vetë atyre dhe gjithë shqiptarëve, mundohen ta mbulojnë duke tentuar t’i heshtin zërat që kundërshtojnë guximshëm këtë represion. Sot një sulm i ngjashëm paska ndodhur edhe ndaj gazetarit Naser Selmani, të cilit ia kanë dëmtuar veturën, metoda këto tanimë të njohura të regjimeve diktatoriale,” thuhet në reagim.
Në njoftim theksohet se gazetari Selmani nuk ka asnjë konflikt personal apo privat, prandaj “e vetmja adresë dyshimi mbeten ata që nuk ju pëlqen e vërteta e fuqishme dhe fjala e lirë e gazetarit”.
Aleanca për Shqiptarët u ka bërë thirrje autorëve të sulmeve të ndalojnë me këto metoda, duke shtuar:
“Binduni se nuk mund të frikësoni askënd, por çdo ditë e më shumë po shkaktoni neveri dhe irritim tek qytetarët. Edhe përkundër kësaj se kërcënimet tuaja nuk kanë efekt, ato nuk do t’i kalojmë në heshtje. Ta dini që një ditë të gjithë do të jepni llogari për çdo veprim, edhe për gomën e gazetarit Naser Selmani.”



