LajmeMaqedoni

6 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina” që lidhet me rrugën për në Kosovë, Qyteti i Shkupit i ridestinoi për tjetër projekt

Gjashtë milionë eurot që Qyteti i Shkupit i mori nga Qeveria gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së për realizimin e Bulevardit “Hasan Prishtina” kryetari i ri i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i ka ridestinuar për ndërtimin e rrugës nëntokësore në Bulevardin Jugor, transmeton Portalb.mk.

Qyteti i Shkupit, gjatë mandatit të ish-kryetarit Petre Shilegov dhe më pas gjatë mandatit të Danella Arsovskës, mori nga Qeveria nga tre milionë euro për realizimin e këtij projekti, i cili aktualisht është në gjendje të mjerueshme dhe për momentin është e vetmja rrugë që çon drejt kufirit me Kosovën.

Gjatë mandatit të Shilegovit ishte thënë se projekti do të përfshinte ndërtimin e një kryqëzimi në pjesën pranë kryqëzimit me rrugën Slloveneçka, ndërsa më pas drejt Vizbegut do të ndërtohej zgjidhje në formë bulevardi.

Në përgjigje të pyetjes së SDK lidhur me projektin për zgjerimin e rrugës “Hasan Prishtina”, përkatësisht “Rrugës së Kaçanikut”, në bulevard, nga Qyteti i Shkupit thonë se për momentin prioritet është ndërtimi i kryqëzimit te Momin Potoku dhe i bulevardit deri te kryqëzimi me rrugën Slloveneçka.

“Si ekip i ri në Qytetin e Shkupit, konsiderojmë se projekti për të cilin pyetni duhet të pësojë ndryshime të caktuara, me qëllim që të tejkalohen problemet e së kaluarës dhe të shmanget çdo lloj improvizimi. Fokusi ynë është zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës nga Bulevardi ‘Nikolla Karev’ dhe kryqëzimi te Momin Potoku deri te Slloveneçka. Për momentin, projekti është në fazën e ndryshimeve, ndërsa si zgjidhje parësore është paraparë ndërtimi i një rrethrrotullimi në pjesën pranë Slloveneçkës. Pasi projekti të përpunohet plotësisht, publiku dhe mediat do të kenë qasje të plotë në zgjidhjen e propozuar. Sa i përket mjeteve të siguruara, duke qenë se konsiderojmë se për momentin nuk ka pengesa për ridestinimin e tyre me vendim të Qeverisë, këto mjete janë orientuar drejt realizimit të Bulevardit ‘Maqedonia’“, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Gjorgjievski një muaj më parë paralajmëroi se kryqëzimi te Momin Potoku do të përfundojë deri në Vitin e Ri.

Ndaj kësaj kanë reaguar nga BDI-ja opozitare, ata thonë autostrada Shkup- Bllacë u dëmtua pa bulevardin “Hasan Prishtina” dhe se VLEN po e shkatërron lidhjen jetike që BDI e kishte siguruar.

“Sot, në vend që këto mjete të përdoren për realizimin e këtij projekti strategjik, VLEN po i largon ato dhe po i orienton drejt një projekti tjetër në qendër të Shkupit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë për të kuptuar dhe realizuar projekte strategjike, por edhe e hipokrizisë së tyre ndaj lidhjes Shkup- Bllacë. E njëjta paaftësi dhe hipokrizi u dëshmua edhe me autostradën Shkup- Bllacë, të cilën BDI ua la të përgatitur dhe të gatshme për realizim, ndërsa VLEN e vonoi për dy vjet e gjysmë dhe e shtrenjtuan projektin për mbi 30 milionë euro”, thonë nga BDI.

Ata theksojnë se nuk mund të flitet për autostradën Shkup- Bllacë, ndërkohë që largohen mjetet për rrugën që duhet ta lidhë atë drejtpërdrejt me Shkupin, pasi autostrada pa bulevardin “Hasan Prishtina” është lidhje e cunguar, ndërsa vendimi për t’i larguar këto mjete dëshmon se VLEN nuk ka as vizion, as kapacitet për ta kuptuar rëndësinë strategjike të këtij projekti.

Akuza të ngjashme nga BDI për ndalimin e ndërtimit të kësaj rruge ka pasur që para dy viteve, ndërsa VLEN pati premtuar se rruga do të ndërtohet.

Ndryshe, katër ditë më parë u vendos gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të rrugës Shkup-Bllacë. Punimet për këtë segment pritet të përmbyllen brenda katër vjetësh.

Kujtojmë se Qeveria aktuale, e cila gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar si korruptiv, me trasenë më të shtrenjtë. Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.

Related Articles

Back to top button
Close
Close