
Më 4 Korrik, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Universiteti i Tetovës pati nderin të mirëpresë një delegacion studentësh shqiptaro-amerikanë nga Universiteti i Harvardit, të cilët po zhvillojnë një vizitë studimore në trojet shqiptare në kuadër të projektit “Cultural and Academic Immersion in Albanian Lands”, të organizuar nga Harvard Albanian Students Association (HASA).
Delegacioni udhëhiqej nga z. Faton Limani, Senior Lecturer in Leadership në Universitetin e Harvardit, ndërsa në Universitetin e Tetovës u mirëprit nga Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi si dhe drejtuesja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc. Donika Kamberi.
Gjatë takimit, studentët u njohën me historinë dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, misionin e tij si dhe me kontributin që universiteti ka dhënë në avancimin e dijes dhe zhvillimin e përgjithshëm. Po ashtu, ata patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, duke zhvilluar diskutime mbi rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe fuqizimit të lidhjeve me diasporën.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke konfirmuar përkushtimin e Universitetit të Tetovës për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e partneriteteve që promovojnë dijen, dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e përvojave akademike.










