LajmeShowbiz

Stresi u tërhoq nga skena pas të shtënave gjatë performancës, policia në kërkim të autorit

Një person është shpallur në kërkim nga policia pasi qëlloi në ajër gjatë festës së Vitit të Ri në Tiranë. Policia tha se e ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij, por nuk publikoi të dhëna të tjera lidhur me identitetin.

Sipas raportimit të A2 CNN, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në datën 1 janar, në sallën e Parkut Olimpik, e cila është marrë me qira për organizimin e festës së ndërrimit të viteve.

Gjatë kohës që këndonte Stresi është qëlluar 2 herë me pistoletë nga një person, fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz, por gjithsesi duke shkaktuar panik.

Sipas A2 CNN, ata që kanë qenë afër e kanë goditur autorin me grushte e gota për ta neutralizuar, ndërsa më pas ai është larguar. Pasi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes e ka mbyllur ngjarjen para kohe për të zbardhur rrethanat.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, dëgjohen qartë të shtënat gjatë performancës së Stresit, i cili është detyruar të ndërpresë këngën dhe të largohet nga skena.

Sipas Euronews Albania dyshohet se Jetmir Pepa është personi i cili ka qëlluar me armë në ajër. Pepa nuk është një emër i panjohur, pasi verën e shkuar është përfolur shumë për shkak se është ish-bashkëjetuesi i Marinela Berishës e cila qëlloi Klea Prengën në një nga lokalet e Tiranës ndërsa policia nuk preferoi të publikonte identitetin e autorit të dyshuar.

“Për arsye se hetimi vijon nuk mund të bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu policia thotë se me të marrë sinjalizimin për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, efektivët kanë mbërritur menjëherë në lokalin e natës ku kanë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjen.

Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close