
Kërçova pritet të ketë spital të ri, pas planit për ndërtimin e një objekti të ri spitalor, i cili u shqyrtua gjatë vizitës së zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski, bashkë me përfaqësues të Komunës, Spitalit të Kërçovës dhe Bankës Botërore. Investimi i planifikuar kap vlerën rreth 1.38 miliardë denarë, ose 22.5 milionë euro. Sipas Andovskit, për dekada qytetarët janë përballur me kushte jo të përshtatshme spitalore, ndërsa qëllimi është krijimi i një sistemi shëndetësor më të sigurt dhe funksional.
Spitali i ri do të ketë hapësira moderne për diagnostikim, trajtim spitalor dhe kujdes urgjent, si dhe pajisje bashkëkohore me efikasitet energjetik. Objekti i ri pritet të shërbejë jo vetëm për banorët e Kërçovës, por edhe për vendbanimet përreth, duke ulur nevojën e pacientëve për të kërkuar shërbime në Shkup, Ohër dhe Manastir.



