
Agjencia spanjolle e motit lëshoi sot alarm të kuqe për shkak të nxehtësisë për pjesë të Valencias, Alicantes dhe Murcias, duke paralajmëruar për “rrezik të jashtëzakonshëm” pasi temperaturat pritet të kalojnë 44 gradë Celsius nesër mes një vale të të nxehtit në rritje.
Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës (AEMET) vendosi zonat bregdetare jugore të Valencias dhe Alicantex, së bashku me Vega del Seguran dhe Luginën Guadalentin, Lorca dhe Aguilas në rajonin e Murcias, nën alarm të kuq, duke parashikuar temperatura 42 gradë Celsius ose më të larta në brendësi dhe në jug dhe 44 gradë Celsius në pjesë të Murcias.
Për sot, AEMET lëshoi alarm portokalli në zona të gjera të Spanjës kontinentale dhe në Ishujt Baleare, ku temperaturat pritet të variojnë midis 39 gradë Celsius dhe 42 gradë Celsius. AEMET gjithashtu paralajmëroi për stuhi në lindje të gadishullit, me breshër të madh dhe me erëra shumë të forta.
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës paralajmëroi për rreziqet shëndetësore në rritje nga nxehtësia ekstreme.
Harta e saj e fundit e rrezikut të nxehtësisë për shëndetin tregoi nivelet më të larta të rrezikut në pjesë të Aragonit, Castile-La Manchas, Komunitetit Valencias, Murcias dhe Andaluzisë ndërsa kushtet me rrezik të mesëm shtriheshin në pjesën më të madhe të brendshme të vendit.
Ministria këshilloi qytetarët të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell dhe të marrin masa paraprake shtesë për të rriturit, fëmijët dhe njerëzit me sëmundje kronike shëndetësore.



