
Në këtë ditë, para 33 vitesh, mbi Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, ranë 3.777 predha.
Ky është numri rekord i predhave që ranë mbi Sarajevë brenda një dite, gjatë rrethimit që zgjati nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996.
Predhat shkaktuan dëme të mëdha. U vranë njerëz, u shkatërruan objekte civile, kulturore, fetare, madje edhe spitale.
Rrethimi i Sarajevës filloi më 5 prill 1992 dhe përfundoi më 29 shkurt 1996. Ai zgjati 1.425 ditë. Vlerësohet se rreth 500.000 predha u lëshuan mbi qytetin gjatë rrethimit. Mesatarisht, mbi qytet lëshoheshin 329 predha në ditë.
Gjatë kësaj kohe, rreth 350.000 banorë ishin të ekspozuar ndaj zjarrit të përditshëm të pjesëtarëve të ish-Armatës së Jugosllavisë dhe formacioneve paraushtarake, e më vonë të pjesëtarëve të asaj që ishte Ushtria e Republikës Sërpska, me pothuajse të gjitha llojet e armatimit, nga pozicionet e vendosura në kodrat përreth. Ata nuk arritën të zbresin dhe të pushtojnë qytetin, vetëm falë vullnetit, dëshirës dhe përpjekjeve të mëdha të mbrojtësve – kryesisht qytetarë që iu përgjigjën thirrjes për mbrojtje, të cilët në fillim, thuajse pa armë, me atlete e xhinse, me armatim minimal, u ngritën në mbrojtje të qytetit.
Gjatë rrethimit u vranë 11.541 qytetarë të Sarajevës, ndër ta 1.601 fëmijë. Sipas hulumtimeve pas lufte, shumica e banorëve të vrarë, pothuajse katër të pestat e numrit total të viktimave, humbën jetën në dy vitet e para të luftës.
Për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës në periudhën 1992-1995, ndër të tjerë, Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar Mbetës për Gjykatat Penale i dënoi me burgim të përjetshëm komandantin e kohës së luftës të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiqin, dhe presidentin e kohës së luftës të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiqin.



