
Këta dy ditë shoh se sa me zell disa janë lëshuar në deformimin dhe keqprezentimin e qëllimshëm të shqetësimit tim dhe të shumë bashkëpartiakëve e bashkë-mendimtarëve, duke dashur të na paraqesin si përçarës, si njerëz që kërkojnë konflikte të brendshme apo si pjesë të ndonjë strukture.
Po e them qartë: nuk jemi pjesë e asnjë strukture dhe në momentin as në strukturat e BDI-së.
Ne po flasim për fenomene që kanë shoqëruar rrugëtimin 24-vjeçar të BDI-së: luftë të brendshme, eliminime politike, nëpërkëmbje, kurthe, shpifje dhe propagandë. Fenomene që, për fat të keq, sot i shohim edhe më të theksuara në VLEN dhe në parti të tjera që nuk po gjejnë qetësi nga turbulencat e tyre të vazhdueshme.
Por një gjë dua ta bëj kristal të qartë:
Kryetari Ali Ahmeti i ka qëndruar pranë Artanit dhe ka marrë përsipër vetë çdo gjë që lidhet me të.
Këtë qëndrim e kanë ndjekur publikisht edhe disa bashkëpartiakë të tjerë, duke dëshmuar se në momente të vështira nuk harrohet as njeriu, as kontributi i tij.
Por disa në mesin tonë… parazitë politikë, që për vite të tëra kanë përfituar nga struktura, nga puna dhe nga njerëzit, sot heshtin pikërisht kur duhet të flasin.
Dhe pyetja është shumë e thjeshtë:
Nëse nuk i qëndrojnë pas Grubit njerëzit që kanë qenë pranë tij në ditët e pushtetit, në ditët e suksesit dhe në ditët e vështira, çfarë mbetet për aktivistët e thjeshtë? E lëre më për qytetarët që na kanë besuar?
Politika nuk matet vetëm kur je në majë.
Njeriu, karakteri dhe besnikëria maten atëherë kur njeri përballet me sakrifica.
Dhe pikërisht aty ndahet bashkëpartiaku nga oportunisti, miku nga përfituesi dhe qëndrimi politik nga parazitizmi.



