
Vendimet e fundit kokë në vete të ministres Vesna Janevska dhe deklaratat e saj publike në të cilat vërehet qartë tendenca për të injoruar Badenterin dhe të sjellë ligjet për arsim sipas qejfit të tyre, dëshmojnë qartë hovin e Qeverisë aktuale kundër arsimit në gjuhën shqipe.
Fillimisht pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë, vetëm me vendim të ministres është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha komunat shqiptare.
Pas kësaj, Janevska informoi se ka reduktuar numrin e studentëve që do të pranohen në disa fakultete me arsyetimin se ka shumë kuadro që nuk punësohen. Ndërkohë kujtojmë se kjo Qeveri në praktikë ka bllokuar punësimin e të rinjëve shqiptarë, propozon ligj për përfaqësim të drejtë që eliminon kuotat etnike dhe krimin e vet tani e përdor edhe si alibi për të mbyllur katedra e fakultete.
Edhe më skandaloze është deklarata për të sjellë ligjet për arsim të lartë pa Badenter që në gjuhën e thjeshtë përkthehet “pa i pyetur shqiptarët”.
Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë!
E gjithë kjo po ndodh me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në Qeveri.
#Turp! #Tradhëti #Vasalitet
– Lidhja Shqiptare



