
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimi është në fuqi në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë apo tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi për këto kategori mjetesh lejohet pa kufizime.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente si dhe institucionet shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me orarin e përcaktuar.



