LajmeRajon

Sot 34-vjetori i lëvizjes studentore, Berisha marshim me të rinjtë e FRPD-së

Në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990, Ditën e Rinisë, Forumi Rinor i Partisë Demokratike marshoi për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri.

Marshimi nisi nga Qyteti Studenti për të vijuar drejt Kryeministrisë.

Marshimit iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në fjalën e tij në Qytetin Studenti, Berisha u shpreh se, regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë.

Berisha shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë pjesëmarrësve në këtë marshim.

“Mirënjohjen më të thellë ndaj jush që, keni ardhur sot këtu për të nderuar veprën e pavdekshme të studentëve liberatorë dhe tribunit legjendar të tyre, Azem Hajdari, më 8 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.

“Ne kemi patur një histori të dhimbshme dhe të vështirë. Në vitin 1912, u shpall Pavarësia e kombit dhe liria e tij. Në vitin 1944, më 28 nëntor, populli ynë u çlirua nga një pushtim i jashtëm, për të rënë po atë ditë me një pushtim të brendshëm barbar, më mizorin që kohërat kanë njohur, në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës”, theksoi kreu i PD.

Kjo diktaturë, shtoi Berisha, “në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Vendosi tiraninë e urisë dhe skamjes që, shqiptarët s’e kishin njohur kurrë më parë nëpërmjet hiperkolektivizimit”.

Berisha tha se, “rënia e Murit të Berlinit dhe revolucionet demokratike të vitit 1989, pavarësisht prej tyre, Shqipëria mbetej siç e cilësonte partia staliniste dhe diktatori i fundi, si bastioni ose ‘kështjella buzë Adriatikut’ e socializmit”.

“Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën”, u shpreh ai më tej.

Pikërisht, në këto rrethana, nënvozoi Berisha, “34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit”.

Berisha u shpreh se, studentët ndanë epoka me lëvizjen e tyre.

“Ata ndanë epoka me lëvizjen e tyre. Ndarjen e epokave rrallë i takon njerëzve t’i përjetojnë. Ata vërshuan në mbarë vendin dhe mbollën kudo pemën e pluralizmit, themeluan PD. Organizuan grevën epike të urisë, po në këtë qytetet në atë ndërtesë që sot e bllokon diktatura”, tha Berisha.

Related Articles

Back to top button
Close
Close